Ministria e Brendshme vonoi tenderin, në Durrës nuk jepen më certifikata
Vali Qyrfyçi
Informatizimi i shërbimit të gjendjes civile dhe vonesat në tenderim krijojnë pakënaqësi të theksuara për qytetarët durrsakë. Në zyrat e gjendjes civile të Durrësit ka mungesë certifikatash dhe boje të printerit. Shqetësim përcillet nga shumë qytetarë dhe pranohet nga punonjësit e sporteleve, ndërsa askush nuk di të thotë me saktësi se kur do të zgjidhet situata absurde. Prej më shumë se një muaji, të gjithë ata që kanë shkuar në sportelet e gjendjes civile në Durrës janë përballur me thëniet për t’u kthyer në një tjetër ditë, pasi mungon boja e printerit apo dhe certifikata. Arsyeja është shumë e thjeshtë dhe pse ka krijuar probleme të shumta për aktivitetin normal të qytetarëve.
Ministria e Brendshme nuk ka bërë ende tenderin për bojën e printerëve dhe për certifikatat
Ministria e Brendshme nuk ka zhvilluar tenderin përkatës për pajisjen me bazë materiale të zyrave të gjendjes civile. Durrësi ka gjashtë rajone, po në rajonin më të madh të tij, në rajonin numër 5 që ndodhet pranë Ujësjellës-Kanalizimeve sh.a. gjendja është kritike. Sportelet nuk ofrojnë asnjë lloj shërbimi për qytetarët. I pyetur për këtë gjendje, drejtori i Gjendjes Civile për qytetin e Durrësit, Shpendi Hoxha, sqaron për gazetën “Shqip” se në këtë rajon që përfshin lagjet 13, 14 dhe 17, ku përfshihen dhe zonat e mbipopulluara të Plazhit dhe Shkozetit ka mbaruar me kohë jo vetëm boja, por edhe certifikatat ku printohen të dhënat e qytetarëve. Ky rajon shtrihet në një territor prej 15,8 kilometrash katrorë dhe mbulon nevojat e një popullsie prej 65 mijë banorësh. Nga informacionet që Hoxha ka marrë nga drejtuesit e Shërbimit të Gjendjes Civile në Tiranë mësohet se qytetarët duhet të presin muajin qershor për të marrë në dorë dokumentin zyrtar ku fiksohen të dhënat personale. Qytetarët ankohen se kanë jo vetëm ditë, por disa javë që nga fundi i muajit mars që presin dhe sorollaten për të marrë në dorë certifikatën. Ndërsa në rajonin 5 puna është bllokuar, pasi mungojnë dhe certifikatat, përveç bojës, në rajonet e tjera punohet me sforco, pasi në dispozicion ndodhet vetëm një sasi e vogël certifikatash, ndërsa problemi i bojës së printerit ekziston për të gjitha rajonet. Në rajonin nr.2 që përfshin pesë lagje të ndryshme të qytetit boja e printerit është blerë nga vetë punonjësit për të mos bllokuar punën dhe shërbimin ndaj qytetarit, ndërsa qytetarët e një tjetër rajoni detyrohen të shkojnë në sportelet e një rajoni tjetër për të marrë dokumentin e kërkuar, pasi në rajonin e tyre mungon boja. Situata në dukje absurde dhe e raportuar në qendër që me fillimin e problemeve në fund të muajit mars vijon të krijojë probleme në Durrës dhe shumë qytetarë i janë drejtuar numrit të telefonit të emisionit investigativ “Fiks Fare” si një shpresë për të vënë në lëvizje autoritetet në Tiranë dhe gjetur zgjidhje.
Me ngritjen e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, ku të gjitha të dhënat e shtetasve janë të ruajtura në një bazë elektronike të dhënash, aktet e hartuara nga shërbimi i gjendjes civile dhe dokumentet bazë që lëshohen nga zyrat e gjendjes civile, duhet të plotësohen dhe printohen me të dhënat e marra nga sistemi elektronik. Përgjegjësia e kësaj situate bie mbi Ministrinë e Brendshme.
Mungesat
Boja
Është problem në të gjitha rajonet e Bashkisë së Durrësit, por në disa zyra vetë punonjësit e kanë blerë me paratë e tyre për të vazhduar punën
Letra
Në disa rajone nuk ka letër për certifikata, ndërsa në rajonet ku ende ka të tilla, ato janë drejt fundit dhe jepen me kursim për raste urgjente