Ilir Meta prej 18 muajsh ndodhet në paraburgim dhe pamjet e fundit publike të tij ishin ato të arrestimit më 21 tetor 2024. Por ish-kreu i shtetit në seancën e parë gjyqësore ndaj tij është shfaqur i transformuar. Në këto muaj në izolim ka rënë në peshë dhe ka pësuar një ndryshim në pamje.

Këtë të hënë në seancën e parë që u transmetua online, Meta u shfaq pas kafazit të xhamit, teksa pranë tij ishin ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi dhe avokati Kujtim Cakrani. Përfaqësuesi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Zylyftar Bregu, ka treguar në ‘Top Story’ disa detaje rreth jetës pas hekurave të ish-presidentit të Shqipërisë, të cilat mendohen se lidhen me gjendjen shëndetësore të tij.

“Për shkak të një marrëveshjeje që kam me Komitetin Shqiptar të Helsinkit, nuk mund të zbardh shumë detaje. Disa gjëra, nisur edhe nga interesi i madh për shëndetin e tij, mund t’i them në një farë mënyre. Edhe unë u habita pak kur u ndesha me të për gjendjen e tij fizike. Gjatë bisedës me të, por edhe njohjes që kam, mund ta shpjegoj pak. Ka të burgosur që e ndajnë qelinë bashkë. Këta njerëz që e quajnë njëri-tjetrin shok buke, bëjnë një kalendar që familjet t’i sjellin ushqimet në ditë të caktuara të javës, që të gjithë ata të hanë ushqim të freskët.

Z. Meta qëndron i vetëm në qeli dhe autoritetet e burgut zgjedhin të bëjnë një sjellje pak strikte, duke e lejuar familjen që t’i sjellin ushqimin e freskët vetëm një herë në javë. Z. Meta refuzon të hajë atë që quhet ‘ushqimi i komandës’, ai zgjedh të hajë 7 ditë të javës atë ushqim që i vjen një herë në javë. Ka kufizim kilogram për ushqimin, por struktura nuk e njeh këtë kufizim, vetëm kur duan ta respektojnë rigorozisht rregulloren.

Z. Meta u ankua që nuk bënte kohën e duhur të ajrimit. Ajo gjendje tregon edhe mungesën e rrezeve të diellit të një njeriu që ka 1.5 vite në paraburgim. Dilte vetëm një herë në ditë dhe nuk e bënte kohën e nevojshme prej dy orësh, siç është në pretendimin e tij. Jetonte i vetëm në një qeli, edhe për shkak të një plani masash të posaçme që drejtoria e përgjithshme e burgjeve ka bërë për sigurinë e tij”, tha ndër të tjera Bregu./ Top Channel