Bitincka është një zonë në të cilën janë kryer studime gjeologjike të formave të ndryshme për të përcaktuar saktë sipërfaqen ku shtrihen dhe rezervat e vendburimit. Për këtë janë bërë shpime çdo 100 metra në të gjithë zonën që është rreth 10 km shtrirje në tërësi.
“Rezervat gjeologjike të hekur-nikelit në tërësinë e vendburimit janë rreth 104 mln ton, nga të cilat 52 mln janë mineral hekur-nikeli dhe 48 mln janë hekur-nikel silikati”, u shpreh Panajot Aliçkolli, specialist gjeolog.
“Rezervat e hekur-nikelit kanë në përmbajtje, sipas analizave kimike të kryera ndër vite nga gjeologjia shqiptare, që hekuri ka një përmbajtje mesatare 35-44%, nikeli varion nga 0.9-1.1, mesatarisht 1% nikel, kurse në nikel silikat nikeli ka përqindjen më të lartë që i vete rreth 1.3% për të gjithë vendburimin dhe hekur-nikeli me rezultate 10-12%”, u shpreh Panajot Aliçkolli, specialist gjeolog.
Sot, ekonomia jonë nuk përfton nga këto pasuri. Eksperti mban në dorë dy minerale të ndryshme dhe tregon se cilat janë dallimet që duken që në pamje të parë e më pas edhe çfarë ndryshon në përbërjen e tyre gjeologjike. Vlen të theksohet se këto elemente janë sot të përcaktuara nga BE si kritike, pra, nevoja është e jashtëzakonshme.
“Ngjyra e mineralit të hekur-nikelit është ngjyrë kafe e pjekur, ndërsa e nikel silikatit kafe më e çelur”, u shpreh Panajot Aliçkolli, specialist gjeolog.
“Përbërja kimike që mund të dallohet, edhe metodologjia e tyre kur shumica e mineralizimeve të hekur-nikelit është hekur-nikel peritik, kurse përbërja e nikel silikatit dallohet edhe nga fortësia që ka ai sepse përbërja përmban në vetvete një përqindje silici më të lartë sesa hekur-nikeli, duke e bërë kështu fortësinë dhe lidhjen brenda mineralizimit akoma më të fortë”, u shpreh Panajot Aliçkolli, specialist gjeolog.
Këto elementë përdoren gjerësisht sot në industri të ndryshme. Janë lëndë e parë në krijimin e pajisjeve teknologjike si dronët, por kanë përdorim të gjerë edhe në industrinë luftarake. Duke shërbyer si lëndë e parë në prodhim, nevoja për to vjen gjithnjë në rritje. Sidomos në këto kohë kur industria e luftës është në fokus… Pra, nëntoka jonë mban pasuri kritike, por nuk po kthehen në përfitim kombëtar…
“Prodhimi i disa elementëve të cilët përmbajnë këto minerale dhe përdorimi i tyre në industrinë e avionëve, në industrinë luftarake, në industrinë e prodhimit të dronëve si dhe në panelet elektrike dhe bateritë me litium përbëjnë një rëndësi të veçantë jo vetëm për vendin tonë por edhe për të gjithë Evropën për të mos qenë e varur nga pjesa tjetër e botës”, u shpreh Panajot Aliçkolli, specialist gjeolog.
