Sërish akuza për plagjaturë në qeverinë e Angela Merkel. Këtë radhë nën vëzhgim është teza e doktoraturës së ministres së Arsimit, Annette Schavan.
Pas skandalit që përfshiu Karl-Theodor zu Guttenberg, i cili u detyrua të largohej nga Ministria e Mbrojtjes në mars të vitit 2011 pas akuzave për kopjim të tezës së doktoraturës, tashmë në rrezik është “reputacioni akademik” i 57–vjeçares Schavan. Nuk përjashtohet që debati publik mbi tezën në filozofi, të ketë ndikime dhe në qeveri. Kancelaria gjermane, nëpërmjet zëdhënësit Steffen Seibert, ka deklaruar mëngjesin e sotëm se ka “besim të plotë” tek ministria Schavan, e cila ka punuar “me sukses”.
Teza e doktoraturës, që i përket vitit 1980, është “nën vëzhgim” prej muajsh nga një Komision i Universitetit të Duesseldorf ‘Heinrich Heine’. Në fundjavë, disa gazeta gjermane kanë publikuar konkluzionet e njërit prej anëtarëve, të cilit i ishte ngarkuar të analizonte tezën për ti verifikuar origjinalitetin. Sipas akademikut metoda e punës së përdorur ka karakteristikat tipike të një “plagjiature”.
15 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)