40-vjeçari Qazim Hodollari është shpallur në kërkim nga autoritetet gjermane për tentativë vrasje, ndërsa konsiderohet një person i rrezikshëm. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 26 nëntor, rreth orës 11:20, në rrugën Elisabeth-Selbert në Mülheim të Gjermanisë, kur një 37-vjeçar nga Gelsenkirchen u plagos rëndë me thikë në bark.
Sipas raportimeve nga BILD, autori i dyshuar është Qazim Hodollari, shtetas shqiptar që nuk ka një vendbanim të përhershëm në Gjermani. Policia ka nisur hetimet për tentativë vrasjeje dhe ka angazhuar një komision special për hetimin e vrasjeve, nën drejtimin e Prokurorisë së Duisburgut.
Hetuesit dyshojnë se pas sulmit ka ndodhur një konflikt i lidhur me një marrëdhënie personale. 37-vjeçari kishte shkuar në banesën e ish-partneres së tij, ku u përball me partnerin e saj të ri, Qazim Hodollari. Pas një grindjeje, ai u godit me thikë në bark. I plagosuri u largua nga vendi i ngjarjes, por pas disa minutash vuri re plagën dhe njoftoi menjëherë policinë.
I plagosuri mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, Hodollari dyshohet të jetë larguar nga vendi i ngjarjes dhe konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm. Policia ka publikuar fotografitë dhe të dhënat personale të tij, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për kapjen e tij.
Komisioni i hetimeve ka apeluar për informacion nga qytetarët. Çdo person që ka informacion mbi vendndodhjen e Qazim Hodollarit duhet të telefonojë urgjentisht në numrin e emergjencës 110. Autoritetet njoftojnë se në asnjë rast nuk duhet të flitet drejtpërdrejt me të kërkuarin, pasi ai mund të jetë i armatosur.
