Zyrtarë të lartë deklarojnë largimin e vendit nga Eurozona në fund të vitit
Edhe pse kreditorët kryesorë të Greqisë kanë shprehur kënaqësi në lidhje me një marrëveshje të re për reformën e tregut të punësimit, durimi në Gjermani është duke shkuar drejt fundit. Toni mes politikanëve që janë në aleancë me Merkelin është duke shteruar. Por të paktën këtë muaj Greqia nuk do të falimentojë. Duket se Banka Qendrore Europiane këtë muaj ka plotësuar një kërkesë të bërë nga Banka Qendrore e Greqisë për lëvrimin e transhit të radhës së paketës së ndihmës financiare.
Por kjo ndihmë e fundit mund ta mbajë Greqinë, mbi valë, deri në shtator jo më pas. Pas kësaj date nuk dihet se çarë mund të ndodhë. Kreditorët ndërkombëtarë të vendit të përfaqësuar nga trojka BQE, BE dhe FMN janë larguar nga Athina, por jo pa marrë më parë premtimin e Kryeministrit të tregtisë se do të nxiten më tej reformat e rrepta që kanë të bëjnë me rritjen e kursimeve. Por e gjitha kjo pritet që të rrisë shumë frustrimin e popullatës deri tani të shtrënguar nga masat e marra që prej dy vitesh në këmbim të paketave financiare.
Për më tepër që ka tregues të rinj që tashmë vendi më i fuqishëm i Eurozonës, Gjermania është duke e humbur me shpejtësi oreksin e saj për të “paguar faturat” dhe Kancelarja Merkel do të ketë vështirësi në mbajtjen bashkë të koalicionit të saj përballë gjithë vështirësive që pritet të vijnë. Ministri bavarez i Financave i Unionit Kristian Social ka bërë të ditur se sipas parashikimeve Greqia duhet që të lërë zonën euro në fund të vitit. Ministri është anëtar i partisë që është në koalicion me partinë e Merkelit dhe një zë i fortë në qeveri. E megjithatë, kjo nuk është gjithçka. “Çdo masë e re ndihme, çdo shtrëngim i ri do të ishte një ecje në një rrugë të gabuar”, vazhdon ministri. Sipas tij, Athina duhet që të jetë një shembull që të tregojë se edhe Eurozona “ka dhëmbë”. “Në një pikë të caktuar, të gjithë duhet që të shkëputen nga mamaja dhe për Greqinë ky moment ka ardhur”. Këto komente shkojnë paralel me skepticizmin gjerman në lidhje me mënyrën e zgjidhjes së krizës nga ana e Gjermanisë. Edhe vetë shefi i CSU-së ka thënë së fundi se ndihma ndaj Athinës ka arritur një limit që nuk mund të tejkalohet. Pavarësisht retorikës, për momentin në Gjermani duhet që të presin ende. Kjo, sepse qeveria e Samaras arriti një marrëveshje me trojkën të dielën për një thellim të kursimeve dhe masave të tjera shtrënguese në vend. Sipas zëdhënësit të FMN-së, bisedimet kanë shkuar mirë. Verdikti i Trojkës është thelbësor, sepse do të duhet që të vendosë nëse Greqia mund të vazhdojë që të mbështetet në paketën prej 130 miliardësh që aktualisht është duke mbajtur vendin larg falimentimit. Samaras ka kërkuar që Trojka të presë edhe dy vite për realizimin e kursimeve të parashikuara për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike dhe sociale në vend. Megjithatë, oreksi ndërkombëtar për një durim të gjatë është i kufizuar në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në Gjermani.