Pas më shumë se dy vite kërkimesh pa rezultat, misteri i zhdukjes së 43-vjeçares Veziko Bojko nga fshati Tërbaç i Vlorës mori një kthesë tragjike. Trupi i pajetë i nënës së tre fëmijëve u gjet nga djali i saj, Kushtrimi, vetëm 700 metra larg banesës.
I riu ishte nisur mëngjesin e 1 tetorit drejt zonës pyjore ku nëna e tij ishte parë për herë të fundit, më 17 mars 2023, ditën kur ishte larguar nga shtëpia me sëpatë në dorë për të prerë dru. Gjatë kërkimeve, ai gjeti fillimisht pjesën e kokës të shkëputur nga trupi dhe dy ditë më vonë u gjet edhe pjesa tjetër e kufomës. Në një lidhje telefonike nga Vlora, Kushtrimi tregoi momentin tronditës kur zbuloi trupin e nënës dhe ndau dyshimet e tij për një vetëvarje të mundshme.
“Gjeta si fillim kokën, vetëm 700 metra larg shtëpisë. Pas 4 ditësh gjeta dhe pjesën tjetër të trupit. Dyshoj se ka kryer vetëvarje, litari ishte akoma i varur në pemë dhe shumë i vjetëruar, prandaj mendoj se ngjarja ka ndodhur po ditën që humbi. Jam 100% i bindur se është nëna ime, e identifikova nga shapkat dhe unaza që mbante në gisht.
Presim të marrim kufomën e nënës mbrapsht, është në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë”- rrëfen i biri i viktimës për ‘Pa Gjurmë’.
Familjarët kanë deklaruar se 43-vjeçarja vuante nga epilepsia dhe kohët e fundit gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar, pasi nuk kishte marrë më medikamentet e nevojshme. Trupi është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku pritet të kryhet autopsia për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e vdekjes. Ngjarja ka tronditur banorët e fshatit Tërbaç, ndërsa familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të së vërtetës.
Kjo histori është trajtuar disa herë në emisionin investigativ “Pa Gjurmë” që prej momentit të zhdukjes së Veziko Bojkos. Për muaj me radhë, emisioni ka ndjekur çdo zhvillim të këtij rasti. Në studio dhe në lidhje të drejtpërdrejtë kanë qenë djali i saj Kushtrimi dhe kunata e të ndjerës, të cilët kanë bërë thirrje të përsëritura për gjetjen e saj.