Aktivistja Xheni Karaj, nga Aleanca LGBT+, ka komentuar projektligjin “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri”, i cili pritet të votohet në Kuvend.

Ajo theksoi se projektligji nuk është propozuar nga Aleanca LGBT+, por organizata ka qenë pjesë e procesit të konsultimit publik, ku kanë marrë pjesë edhe grupe të tjera interesi. Sipas saj, ky ligj nuk ka lidhje me komunitetin LGBT+, por trajton konceptin e barazisë gjinore dhe ndalimin e diskriminimit, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

“Është përhapur një keqinformim se ky ligj hap rrugën për 99 gjini apo për t’u regjistruar dhe identifikuar si kafshë,” shtoi ajo për news24.

Karaj bëri një ndarje mes termave “seks biologjik” dhe “gjini”, duke theksuar se ndërsa seksi biologjik përcaktohet nga organet, kromozomet dhe hormonet, gjinia është një koncept social dhe juridik.

Seksi biologjik përfshin mashkull, femër dhe persona intersex, foshnje që lindin me karakteristika të dy gjinive. Ndërkohë, gjinia lidhet me mënyrën si individi identifikohet dhe shprehet në shoqëri. Këtu përfshihen edhe personat transgjinorë, të cilët nuk përputhen me seksin e tyre të lindjes,” shpjegoi Karaj.

Ajo theksoi se identiteti gjinor është i njohur si koncept ligjor nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), Konventa e Stambollit, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe nga vetë ligji shqiptar kundër diskriminimit.

Një tjetër shqetësim që ngriti Karaj ishte fakti se në Shqipëri, personat transgjinorë që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale për ndryshim gjinie nuk mund ta përditësojnë këtë ndryshim në dokumentet e tyre zyrtare, ndryshe nga vendet të tjera, ku kjo është e mundur dhe e rregulluar me ligj.

“Në dokumentet tona figuron seksi i lindjes, por për ata që kanë kryer tranzicion gjinor, nuk ka mekanizëm ligjor për ta reflektuar këtë ndryshim. Në vende si Gjermania, individët mund të regjistrohen si burra, gra ose me gjininë ‘X’, që përdoret për personat që nuk i përkasin binarit klasik gjinor,” përfundoi Karaj.