Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar 220 kg kanabis, ndërkohë që ka shpallur në kërkim transportuesin e lëndës narkotike. Burimet zyrtare të policisë lokale sqarojnë se rreth orës 01:50 të së dielës, efektivët e anti-drogës janë vënë në ndjekje të një automjet tip Benz me targa false GJ 4868A dhe xhamat e zinj në aksin rrugor Kordhocë- Gjirokastër.


Drejtuesi i automjetit nuk i është përgjigjur urdhrit të ndalimit dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të Gjirokastrës. Në hyrje të qytetit, makina ka devijuar nga rruga nacionale duke u futur në një rrugë të brendshme të qytetit në drejtim të lagjes Zinxhira. Drejtuesi ka braktisur makinën mes magazinave që ndodhen në këtë lagje duke u larguar me shpejtësi, falë edhe mjegullës së dendur dhe errësirës.


Efektivët e anti-drogës dhe ata të Komisariatit të Policisë Gjirokastër janë vunë në ndjekje të autorit, por nuk arritën ta ndalonin. Ndërkaq nga këqyrja që iu bë automjetit tip “Benz” u gjetën në bagazh dhe në pjesën ku vendoset sedilja e pasme, 48 pako të mëdha me lëndë narkotike. Pas peshimit të pakove ka rezultuar se në total ishin 220 kilogramë marjuanë.


23 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)