Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar 60 kg marjuanë, ndërsa ka shpallur në kërkim tre transportuesit e drogës.
Burime nga policia lokale bëjnë me dije se droga po transportohej me një automjet nga fshati Lazarat, në drejtim të Tepelenës. Uniformat blu kanë ngritur postblloqe në disa pika në shtratin e lumit Drino, por me të parë policinë tre transportuesit e drogës kanë braktisur çantat dhe janë larguar me shpejtësi duke përfituar nga moti i keq me shi si dhe nga errësira e terreni mjaft i vështirë.
“Policia arriti të sekuestrojë në vendngjarje dy çanta të mëdha të mbushura me lëndë narkotike ku brenda tyre u gjetën 60 pako me lëndë narkotike të mbështjella me letër natriban, disa prej tyre edhe me mbishkrime, me peshë 1 kilogramë secila”, thuhet zyrtarisht nga policia lokale.
Ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij trafiku si dhe për kapjen e tre trafikantëve të lëndës narkotike.
13 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
