Azgan Mërnica, 23-vjeçari i cili vrau me plumb në kokë efektivin e forcave Shqiponja, Novruz Cenalia mesditën e 13 majit, në fshatin Baltëz në Fier, është vetëdorëzuar në policinë e Fierit, pas më shumë se 48 orësh në arrati.

Vetëdorëzimi i tij është kryer mbrëmjen e së mërkurës (15 maj) në fshatin Dërmenas, pas negociatave të familjarëve të tij, të cilët i kanë kërkuar që të dorëzohet pasi në rrethimin që forcat RENEA e FNSH-se kishte bërë ishte i pamundur largimi.

Në “Shqipëria LIVE”, gazetari Xhemil Beharaj ka treguar dinamikën e plotë të krimit dhe po ashtu, ses si arriti 23-vjeçari të fshihej nga forcat RENEA dhe FNSH për 48 orë.

“Gjithçka ka ndodhur brenda 20 sekondash. Autori ka qenë në rrugën ku ndodhi ngjarja me makinën e tij, ku kishte dhe nënën. Më pas ka ardhur efektivi, i cili, nuk ka pasur mundësi nga të kalojë. Aty ka nisur konflikti, dhe autori ka dalë nga makina dhe kanë vijuar konfliktin me fjalë. Më pas, polici ka nxjerrë armën dhe pas tij, edhe autori. Por, ky i fundit është treguar më i shkathët dhe e ka qëlluar me plumb në kokë duke e lënë të vdekur. Pas kësaj, ai është larguar me makinën e tij, të cilën e ka lënë në shtëpinë e gjyshit të tij dhe është arratisur.

Për 48 orë, ai ka qëndruar në një kanal të mbuluar nga ferrat midis fshatit Sulaj dhe Dërmenas. Aty fshatrat janë shumë afër. Paraditen e djeshme, pas ardhjes së shumë forcave RENEA dhe FNSH, duke u dhënë dhe lajme të tilla, dhe afrimi i natës, kanë ndërhyrë familjarët dhe i kanë shpjeguar se sa e rrezikshme ishte situata nëse ai nuk dorëzohej. Ata kanë komunikuar me të ndërmjet një negociatori dhe në fund, ka shkuar policia së bashku me këtë person e kanë nxjerrë nga kanali sepse nuk dilte dot.”-, tha gazetari.