“Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për shqiptarët. Kemi nevojë për njëri-tjetrin për largimin e kësaj qeverie”.

Këtë mesazh përcolli për qytetarët nga bulevardi Dëshmorët e Kombit, deputeti demokrat Klevis Balliu në nisje të foltores së dytë të opozitës para Kryeministrisë.

“Bulevardi do të mbushet si herën e fundit. Sot ka rëndësi që ka dakordësi mbarëkombëtare që kjo është një qeveri me vjedhje seriale. Nuk ka ditë që të mos u dalë një skandal në vjedhjeje. Tani mbetet një mision e detyrim kombëtar për ju, për mua e për çdo qytetar të këtij vendi që të bëjmë gjithçka për të larguar një qeveri që ka humburi çdo të drejtë ligjore e morale. Këtu bëhet fjalë për dorëheqjen e Ramës pasi ata qartazi nuk kanë asnjë plan për rregulluar interesat e qytetarëve”, tha Balliu.

Balliu theksoi se çdo formë reagimi është e pranueshme përballë regjimit siç e cilësoi ai të Edi Ramës, që nuk lejon zgjedhje.

“Kur qëllimi është i drejtë, çdo formë është e pranueshme. Do të ketë edhe forma të tjera si çdo regjime dhe ky duhet të rrëzohet nga sheshet. Që të ketë zgjedhje duhet të largohet regjimi se ky regjim nuk lejon zgjedhje. E vetmja mundësi për të patur zgjeshje të lira e të ndershme është largimi i regjimit”.

Deputeti demokrat akuzoi qeverinë për largimin dhe varfërimin e shqiptarëve, në një kohë që ka rritur buxhetin e vet.

“55% e shqiptarëve nuk mund të mbyllin dot muajin. Ose të lëmë këta që vjedhin qytetarët, ose të ikin në emigrim, ose të largojmë këta. Është e vetmja qeveri në 12 vjet që krenohet që ka rritur buxhetin e vet. Këta kanë rritur buxhetin e vet duke pakësuar atë të shqiptarëve, qytetarët sot taksohen 3 herë më shumë se në 2013”.