Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar këtë të martë ish-gardistin Zef Mali dhe shtetasen Jemine Çoku për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.

Sipas vendimit të GJKKO, Zef Mali u shpall fajtor për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim. Ai u dënua me 2 vite e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 1 vit e 8 muaj burgim. Gjykata vendosi gjithashtu që Mali të mos ushtrojë funksione publike për 5 vite.

Ndërkohë, Jemine Çoku u dënua me 1 vit burg, por pas uljes së dënimit nga gjykimi i shkurtuar, ajo përfitoi 8 muaj burgim. Gjykata urdhëroi përjashtimin e saj nga vuajtja e dënimit.

Sipas hetimeve të SPAK, ish-gardisti Zef Mali, në bashkëpunim me Kreshnik Domin, i kanë kërkuar dhe marrë Jemine Çokut 20 mijë euro, duke i premtuar se do të ndikonin tek zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë për të përshpejtuar transferimin në Shqipëri të vëllait të saj, Kujtim Çeliku, i dënuar në Turqi. Në kohën e ngjarjes, Zef Mali mbante detyrën e oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës. Sipas SPAK, të pandehurit kishin mbajtur kontakte të vazhdueshme me Jemine Çokun dhe familjarët e saj gjatë procedurave për transferimin e të dënuarit.