Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar ish-deputetin Alqi Bllako me 4 vite burg, të cilat, pas pranimit të gjykimit të shkurtuar, konvertohen në 2 vite e 8 muaj burgim. Po ashtu, gjykata vendosi një dënim plotësues prej 5 vitesh, gjatë së cilave Bllako nuk mund të ushtrojë funksione publike.

Vendimi u dha në mungesë të ish-deputetit, i cili, sipas avokatit të tij Eduart Sheko, nuk mundi të ishte i pranishëm për arsye shëndetësore.

Ky dënim lidhet me aferën e inceneratorëve, ku Bllako akuzohet për shpërdorim detyre dhe përfshirje në procedura të parregullta për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.