Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtorë dy inspektorë të IKMT-së, K.Zh dhe G.F, të arrestuar në gusht 2025, nën akuzën për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim.
Sipas vendimit të dhënë më 24 shkurt, secili prej tyre u dënua fillimisht me nga tre vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me një të tretën, duke u konvertuar në nga dy vite heqje lirie.
Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vendosjen e të pandehurve në shërbim prove për një periudhë dyvjeçare. Gjatë kësaj kohe ata duhet të mos kryejnë vepra të tjera penale dhe të paraqiten rregullisht pranë Shërbimit të Provës.
Po ashtu, trupa gjykuese caktoi si dënim plotësues heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat prej pesë vitesh.
Trupa gjykuese, e përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Flojera Davidhi dhe Bib Ndreca, urdhëroi gjithashtu heqjen e masës së sigurisë “arrest në burg” dhe lirimin e menjëhershëm të tyre, nëse nuk mbahen për një çështje tjetër.
Hetimi ndaj inspektorëve nisi pas një denoncimi të bërë nga pronari i një objekti në zonën e Kombinatit, ku ishte konstatuar një tendë e vendosur pa leje.
