Gjykata e Posaçme ka lënë në burg oficerin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj, pas seancës së sotme ku ai ka mohuar akuzat ndaj tij.

Gazetarja Alketa Shaba ka bërë me dije se në seancë, Haxhiaj ka deklaruar qënuk ka pasur asnjë lidhje me aplikacionin Sky ECC, i cili është përdorur nga anëtarë të grupeve kriminale për të komunikuar në mënyrë të sigurt. “Më kanë përdorur emrin, nuk kam pasur Sky ECC. Nuk kam komunikuar asnjëherë në këtë aplikacion,” ka thënë Haxhiaj.

Haxhiaj akuzohet për lidhje me një grup kriminal të goditur nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane. Ky grup dyshohet se ishte i përfshirë në trafikun e drogës nga Amerika Latine dhe Shqipëria drejt Italisë.

Arrestimi i Haxhiaj ka lidhje me një aksion të përbashkët mes Prokurorisë së Breshias dhe SPAK, ku është goditur ky grup trafikantësh. Gjatë periudhës që dyshohet se ka kryer veprat penale, Haxhiaj ka shërbyer për disa vite në Forcat Operacionale, dhe më pas është transferuar në Antiterror. Së fundmi, ai ishte në proces studimi për të marrë gradën e nënkomisarit.