Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj vendimit të GJKKO-së për masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Berisha e ironizoi vendimin e gjykatës, duke deklaruar se nuk do të habitej nëse kryeministri Edi Rama do t’i jepte Beqajt një certifikatë mirënjohjeje, duke e krahasuar me raste të tjera që ai ka përmendur më herët.

“Ilir Beqaj u lirua dje. Madje them se pas një jave Edi Rama mund t’i japë atij edhe një certifikatë mirënjohjeje, siç bëri me Çyrbjan apo Agasin”, u shpreh Berisha.

Kreu i demokratëve vijoi me akuza ndaj Ramës, Beqajt dhe ish-ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliut, duke i bërë përgjegjës për atë që ai e cilësoi si dëme të rënda ndaj qytetarëve.

“Nëse ka njerëz që me aktet e tyre kanë kryer krime ndaj njerëzimit, jeni ju të tre”, deklaroi Berisha, duke iu referuar Ramës, Manastirliut dhe Beqajt.

Deklaratat e Berishës vijnë pas vendimit të GJKKO-së për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj ish-ministrit Beqaj, i cili vijon të jetë nën hetim.