Dy persona të akuzuar nga SPAK për korrupsion në zgjedhje janë shpallur fajtor.
GJKKO ka shpallur fajtor dhe ka dhënë dënimin për Vladimir Lushkajn dhe Pandeli Bozhën, ky i fundit babai i ish-kandidates për deputete të PSD-së në Fier Limonera Bozha.
Ai u dënua me 1,5 vite burg, po për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 1 vit, kthyer në shërbim prove.
“Deklarimin fajtor të të pandehurit Pandeli Bozha për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim. Në aplikim të nenit 406, kësaj mase dënimi i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht dënimin e tij me 1 vit (një) burgim. Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe
vënien në provë të të dënuarit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër penale tjetër, për një periudhë prej 24 muaj.
Deklarimin fajtor të pandehurit Vladimir Lushkaj për kryerjen veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal. Në bazë të nenit 52/b të Kodit Penal, përjashtimin nga dënimi të të pandehurit Vladimir
Lushkaj. Lidhur me provat materiale, Gjykata disponon si më poshtë: një kartmonedhë në shumën 2000 lekë duke qënë se ajo është shpërblim i dhënë për veprën penale, konform nenit 36/1/c të Kodit Penal, të kalojë në favor të shtetit. një fletë e ngjashme si ato të fletëve të votimit ku emri i kandidates për deputete L.B ishte i ngjyrosur me ngjyrë portokalli, të bëhet pjesë e fashikullit të gjykimit”, thuhet në njoftim.
