Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur këtë të premte vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin Ardit Gjokrosa.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Erjon Çela, pas kërkesës së paraqitur më 29 tetor nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të masës shtrënguese. Masa fillestare ndaj Gjokrosës ishte caktuar më 15 maj 2024. 

Ardit Gjokrosa akuzohet nga struktura e posaçme për një sërë veprash të rënda penale: 

“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit H.T.; 
“Grup i strukturuar kriminal” (në formën e pjesëmarrjes); 
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. 
Përmes vendimit nr. 78, datë 30.10.2026, Gjykata ka urdhëruar Policinë Gjyqësore që i pandehuri të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, ku do të qëndrojë në dispozicion të organit procedues. 

Kundër këtij vendimi, pala e mbrojtjes ka të drejtë të bëjë ankimim në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 5 ditëve nga njoftimi.