GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Altin Kodrës, për vendosjen e tij në regjimin e posaçëm 41-bis.
Kodra, i dënuar me 22 vite burgim për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, ka kaluar në regjimin e posaçëm 41 bis në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Altin Kodra vuan dënimin me 22 vjet burg për vrasjen e biznesmenit të tullave në qytetin e Shkodrës, Zamir Bilali. Ngjarja ndodhi më 14 gusht të vitit 2006, pas një grindjeje mes Kodrës dhe Bilalit, fqinjë mes tyre.
Gjatë periudhës së dënimit, ai ka kryer edhe vepra të tjera penale. Më 11.10.2012, me vendimin nr. 128, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, ai është dënuar për veprën penale “Largim nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga nenet 323-25-22 të Kodit Penal. Po ashtu, ai është dënuar në dy raste të tjera, më 02.07.2021 dhe 04.05.2022, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”, sipas nenit 324/a/1 dhe 324/a/2 të Kodit Penal.
Regjimi i posaçëm 41-bis është një masë sigurie për ata të burgosur që janë të përfshirë në aktivitete kriminale të rënda, si pjesëmarrës në grupe kriminale të strukturuara, organizata terroriste ose banda të armatosura. Ky regjim aplikohet për individë që përbëjnë një rrezik të lartë për sigurinë dhe rendin publik, duke garantuar një mbikëqyrje dhe kontroll më të rreptë të tyre.
Njoftimi i GJKKO:
Kërkuesi Altin Kodra me datë 20.12.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Ankim kundër Urdhrit të Ministrit të Drejtësisë Nr. 623, datë 06.12.2024 “ Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të Sigurisë së Lartë, të të burgosurit Altin Kodra”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, bazuar në nenet 112 dhe 471 e vijues të K.Pr.Penale, si dhe nenin 17 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, me vendimin Nr. 20/743, datë 14.02.2025 vendosi:
Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit (të dënuarit) Altin Kodra.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi.