Ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro do e shlyejë dënimin e formës së prerë prej 6 muajsh e 10 ditësh burg, për dosjen që akuzohet se i dha pasardhësit të tij të komanduar në Bashki Arqile Bollano një pronë në mënyrë të paligjshme.
Vendimi u dha këtë të martë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, që rrëzoi kërkesën e Goros për njohjen e shlyerjes së dënimit.
Disa javë më parë Apeli i Posaçëm shpalli vendimin e fajësisë dhe pas përllogaritjeve të ditëve të burgimit për këtë dosje, SPAK urdhëroi rikthimin në qeli. Ndërkohë që për dënimin e parë, ku u akuzua për shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie, lidhur me një pronë ku përfitues fundor ishte Artan Gaçi, bashkëshoertini Olta Xhaçkës ishte liruar më 29 gusht të vitit të kaluar.
Vendimi i Apelit për rastin “Bollano” konfirmoi dënimin me 2 vite burg, i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar, është reduktuar në 1 vit e 4 muaj heqje lirie.
Jorgo Goro u arrestua më 23 mars të 2024-ës, teksa gjatë hetimit dhe gjykimit në Gjykatën e Posaçme kërkoi vazhdimisht pafajësinë.
Ndërkohë, më herët, Goro kishte vuajtur 17 muaj burg nga një tjetër dënim prej 2 vite e 20 ditësh, që lidhej me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Gjilekës, në Himarë në favor të Artan Gaçit që kryeministri Edi Rama i dha statusin e investitorit strategjik.
Edhe në atë rast ai përfitoi ulje dënimi për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, duke u liruar më herët.
