Pengmarrja, Nensi: I duheshin paratë. I dashuri: S’merrja dot 400 mijë euro, por e provova


Mariglen Mullai


nensiPakti fillestar mes gjimnazistes dhe të dashurit ishte që t’i merrnin 100 mijë euro biznesmenit Laver Çobo, por mesa duket oreksi i 18-vjeçarit u shtua me kalimin e orëve. Deri në çastin kur u ballafaquan në polici, pas arrestimeve, Nensi Çobo nuk e kishte ditur që babait të saj i kërkonin 400 mijë euro, por 100 mijë, aq sa ishte lënë në fillim. Qëllimi kryesor i vetëpengmarrjes ishte në fillim hapja e një lokali dhe pasi të pasuroheshin, të largoheshin të dy drejt Zvicrës. “Unë jam e pasur, por mendoja për Orionin, se atij i duheshin më shumë lekët”, mësohet të jetë shprehur këto ditë maturantja e “Petro Nini Luarasit”. Ndërsa Orioni ka thënë se “e dija që Laveri nuk do të na jepte 400 mijë euro, por thashë ta provonim një herë, pastaj të merrnim sa të mundnim”. Deklarimet e të përfshirëve në këtë histori janë bërë të ditura për gazetën “Shqip” nga burime të sigurta pranë grupit hetimor, i cili po merret me këtë çështje. Plani i pengmarrjes së sajuar u zbulua nga motra e të dashurit të vajzës, ndërsa familjarët e kësaj të fundit ia kanë falur këto veprime 18-vjeçares. Nga ana tjetër, Prokuroria e Krimeve të Rënda, përshkroi dje të gjithë kronologjinë e ngjarjes, që nga pengmarrja e sajuar, te telefonatat dhe më pas arrestimet. Ai që bënte telefonatat ishte shoku i të dyve, 19-vjeçari Kris Gjore. Ishte motra e Orion Hoxhës, të dashurit të 18-vjeçares Nensi Çobo, ajo që zbuloi vendndodhjen e të rinjve, pranë një hoteli afër Farit, në kodrat e Liqenit Artificial. Djemtë (njëri i dashuri dhe tjetri shok i gjimnazistes së “Petro Ninit”) nuk duket se e kishin marrë edhe aq me shaka pengmarrjen, siç po pretendon Nensi kohët e fundit në polici, pasi ata ecnin me teorinë “të kapim ç’të kapim”. Gjoba që duhet të paguante 60-vjeçari Laver Çobo ishte caktuar 100 mijë euro, por Orion Hoxha dhe Krisi Gjore e kishin ngritur shumën në 400 mijë euro dhe më pas ishin të gatshëm të lëshonin pe, për të marrë ç’të mundnin prej biznesmenit. Dje u mbyll edhe saga e vetëpengmarrjes së maturantes, që kishte për qëllim blerjen e një lokali, ku të rinjtë do të ishin bashkortakë dhe më pas largimin e tyre drejt Zvicrës. Maturanti i “Petro Ninit” ishte disi i njohur për familjen Çobo, ndaj vëmendja u orientua drejt tij. Oficerët e policisë shkuan në banesën e 18-vjeçarit dhe kontaktuan me të motrën, e cila gjithashtu e njihte për së largu Nensin, nga bisedat me të vëllain. Kështu, gjurmimi i telefonit të saj çoi në vendndodhjen e Orionit, i cili u ndalua në rrugën “Isuf Elezi”, në Selitë. Ndërsa shoku i tyre një vit më i madh, Krisi Gjore, u ndalua pranë rrugës “Myslym Shyri”. Sipas policisë, natën e së enjtes, duke u gdhirë dita e premte, Nensi Çobo qëndroi me të dashurin e saj, Orion Hoxha, në një hotel pranë Liqenit Artificial, nga ky dyshohet se edhe kanë kryer rrëmbimin e sajuar. Kur vajza mësoi se i dashuri ishte kapur, doli nga hoteli dhe telefonoi të ëmën e më pas të atin. Ky i fundit, mësohet se pasi u sigurua që vajza nuk ishte lënduar dhe nuk ishin përdorur armë apo sende të forta, është ballafaquar në polici me të rinjtë, ndërsa ndoqi procedurat në prokurori, duke u interesuar për fatin e vajzës më të vogël, nga të tria. Kështu, 60-vjeçari kërkoi që Nensi të falej edhe nga drejtësia, pasi ai vetë e kishte falur.


Lirimi i vajzës, për shkak se është edhe viktimë në ngjarje


Burg dy djemve, vajza e lirë. Avokati: Orioni po provonte dashurinë e babait


Togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda vendosën dje masën e sigurisë për tre të rinjtë. “Arrest me burg” u vendos për të dashurin e 18-vjeçares Nensi Çobaj, Orion Hoxha, dhe bashkëpunëtorin e tij, Krisi Gjore. Ndërsa për 18-vjeçaren Nensi Çobo u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, pra duhet të paraqitet një herë në javë në polici ose prokurori, deri në mbarimin e hetimeve. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. I dashuri i 18-vjeçares ka thënë në sallën e gjyqit se gjithçka e kanë bërë për shaka. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i të pandehurit Orion Hoxha, Hysen Spahiu, ka thënë se klienti i tij pretendon se ngjarja ishte thjesht një lojë, për të provuar dashurinë e babait. “Klienti pretendon se ngjarja ishte thjesht lojë. Ngjarja, për të provuar dashurinë e babait”, ka thënë avokati. Vetë i dashuri i 18-vjeçares që sajoi rrëmbimin duke kërkuar 400 mijë euro nga babai biznesmen, ka kërkuar lirinë, me justifikimin se është në përfundim të shkollës. Avokati shtoi se “klienti im ka dy javë që ka mbushur 18 vjeç, është ende në shkollë. Mësimi nuk duhet ndërprerë, ashtu siç thotë konventa ndërkombëtare për të rinjtë. Gjykata ka vendosur kështu, por ne do e çojmë në apel. Klienti im nuk është penduar, pasi nuk ka bërë asgjë. Nuk ka vendosur asnjë gjobë”. Prokurori Besnik Muçi, në parashtrimin e tij, tha se “dyshohet se ndodhemi para elementeve të veprës penale të ‘shtrëngimit me anën e kanosjes për marrjen e pasurisë’, në bashkëpunim, pasi shtetasit nën hetim, Orion Hoxha, Kris Gjore dhe N.Ç., në bashkëpunim midis tyre, kanë thurur planin për t’i marrë shtetasit Laver Çobo një sasi të hollash”. Ndërkaq, kërkesa për “detyrim paraqitje” për vajzën u argumentua e tillë, për shkak se ajo ishte edhe viktimë e kësaj ngjarjeje dhe se ishte penduar për gjithçka.