Tregtimi i bukës
Nisin kontrollet në terren për kushtet në të cilat prodhohet dhe tregtohet buka masive. Inspektorët nisin kontrollet për hapësirat ku prodhohet, paketimi, pastërtia dhe gjithçka tjetër nga nisja e procesit e deri në shitjen përfundimtare të produktit.
Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë kontrolluar paraditen e djeshme disa nga furrat e bukës në zonën e ish-bllokut, ku kanë vënë re edhe probleme. Përveç gjobave ka pasur edhe mbyllje të subjekteve.
Pak kohë më parë, Shoqata e Prodhuesve të Bukës ngriti shqetësimin se ka shumë subjekte që tregtojnë bukë në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në periferi, të cilat nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare. “Ka pasur probleme dhe vazhdojnë të jenë. Nga higjiena në përgjithësi, nga ambientet e kufizuara, ambalazhi që përdoret për bukën. Janë një listë me probleme, por këto janë kryesoret. Ka pasur më shumë pezullime në rastin e higjienës. Kemi aplikuar mënyrën e të shkatërruarit të ambalazhit dhe vendosje gjobash”, sqaroi inspektorja e AKU-së, Flutura Nuredini.