Partia “Bashkimi Liberal Demokrat”, e drejtuar nga Arjan Starova, i është drejtuar KQZ-së, me një shkresë pas gjobës që ky institucion zgjedhor i ka vendosur për vonesën e raportit financiar për zgjedhjet e 11 majit.
Drejtuesi Starova shkruan në kërkesë se në 11 maj ka garuar si pjesë e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, duke argumentuar se nuk e ka përgjegjësinë ky i fundit.
Ndër të tjera ankesa vijon më tej duke sqaruar se çdo veprim gjatë fushatës është bërë nga koalicioni dhe jo nga partitë pjesëmarrëse në të.
“Bashkimi Liberal Demokrat u regjistrua fillimisht si subjekt zgjedhor. Megjithatë, me regjistrimin e Koalicionit “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, subjekti zgjedhor që mori pjesë në zgjedhjet e datës 11 Maj 2025 ishte koalicioni. Për rrjedhojë, detyrimi për paraqitjen e raportit financiar i takon subjektit zgjedhor pjesëmarrës në zgjedhje, pra koalicionit, dhe jo partive përbëresë individualisht. Neni 92/3, pika 1, përdor termin “subjektet zgjedhore” dhe jo termin “partitë politike”. Ky formulim nuk është rastësor. Nëse ligivënësi do të kishte synuar që raporti financiar të paraqitej nga secila parti politike më vete, ai do ta kishte përcaktuar shprehimisht këtë detyrim”, thuhet në ankimin e BLD.
Starova, teksa kundërshton gjobën prej 2 milionë lekësh të rinj, ndalet te marrëveshja që ka nënshkruar me Partinë Demokratike për t’u bërë pjesë e koalicionit.
“Kjo marrëveshje fiton një rëndësi të veçantë juridike, pasi përcakton të drejtat dhe detyrimet reciproke të partive, mënyrën e bashkëpunimit, ndarjen e përgjëgjësive dhe mekanizmat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, vijohet më tej në ankesën e drejtuar KQZ.
Bashkimi Liberal Demokrat u gjobit nga kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bashkë me 12 parti të tjera për mos-përmbushjen e detyrimeve për raportin financiar për zgjedhjet 11 maj 2025.
