Personi në foto, i identifikuar si Oklid El Ouejdi po verifikohet nga Policia e Elbasanit si i dyshuar i përfshirë në ekzekutimin e biznesmenit Edmond Hyka, i njohur ndryshe si Mondi Mëhalla.
35-vjeçari i njohur me nofkën “Kiço”, me origjinë nga Elbasani, ka pasur njohje të hershme me biznesmenin e vrarë, por sipas të dhënave kohët e fundit kanë qenë në konflikt për një shumë parash që i riu i kishte sipërmarrësit.
Emri i Oklid El Ouejdi, ka dalë gjatë dëshmisë në polici të njërit prej të shoqëruarve me dyshimin se janë të përfshirë në ekzekutimin e 43-vjeçarit Mëhalla mbrëmjen e 2 dhjetorit pranë një Karburanti që kishte në pronësi në periferi të Elbasanit.
Dyshimet e policisë janë se 35-vjeçari mund të jetë financues i krimi, ndërsa pas ngjarjes ai u arratis nga vendi drejt Maqedonisë së Veriut përmes doganës së Qafë Thanës.
Policia dhe Prokuroria sakaq nuk kanë ende të paqartë se kush është qitësi i fshehur me kapuç në kokë që ekzekutoi biznesmenin Mëhalla duke e qëlluar të paktën 6 herë me pistoletë.
Dy plumba në kokë i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.
Rezulton se Oklid El Ouejdi ka regjistruar një biznes të dhënies së makinave me qira në Elbasan, ndërsa grupi hetimor sipas burimeve po vijon verifikimet për përfshirjen e dyshuar në krim.
Deri më tani në pranga janë vëne Xhino Ago, Kujtim Pisha dhe Nevzat Spaho, të cilët janë vënë në masë sigurie arrest në burg, ndërsa Marselo Arani dhe Armando Kola mbeten në kërkim.
