Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Jashtëm, anëtarët e komisionit u ndalën te gjuha e përdorur në Kuvend një ditë më parë nga deputetët. Shkas u mor fjalia e Taulant Ballës drejtuar Albana Vokshit, për të cilën deputetja e PS, Bora Muzhaqi tha se kolegu i saj ka kërkuar disa herë ndjesë, por shtoi se e kupton zonjën Vokshi dhe solidarizohet më të.

Por Muzhaqi shtoi se ofendime ka pasur edhe nga Gazment Bardhi drejtuar grave socialiste, duke thënë se ende ky i fundit nuk u ka kërkuar ndjesë. Ajo bëri thirrje që fjalori i papërshtatshëm të mos gjejë vend në Kuvend, nga të gjitha palët politike.

“Ditën e djeshme u dëgjua një fjalë që nuk ma lejon kultura ta përmend këtu. Atë fjalor ma kanë mësuar që në shkollë që atë lloj fjalori nuk mund ta përdorësh. Po ta dëgjoni videon ajo fjala dëgjohet shumë shpesh. Unë akoma nuk kam një ndjesë nga kryetari juaj iu grupit për fjalinë që tha për gratë socialiste, sepse fjalia ishte ‘pikë pikë pikë të partisë suaj’, jo vetëm për gratë socialiste në sallë por anembanë vendit, kjo fjala na prek të gjithave. Me apo pa mikrofon fjalët cënojnë dhe rëndojnë njësoj. Ka ikur koha kur burrat të shajnë njëri-tjetrin duke sharë gratë respektive”-, u shpreh deputetja.