Nënkryetarja e Kuvendit Klodiana Spahiu gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend tha se mësuesit sot kanë një pagë më të lartë, dhe se trajtimi i tyre është shumë më dinjitoz.

Po ashtu Spahiu tha Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar” ofron mbështetje për fëmijët me aftësi ndryshe si dhe për familjet e reja.

Më tej Spahiu u ndal dhe tek mësuesit e diasporës dhe rolin e tyre që kanë luajtur ndër vite në mësimin e gjuhës shqipe tek brezi i ri.

“Gjuha shqipe nuk duhet të mbijetojë thjesht, por të zhvillohet, të modernizohet dhe të përshtatet me kohën. Sot kemi rreth 400 shkolla dhe klasa të gjuhës shqipe në botë. Mbi 27 mijë e 200 tekste “Gjuha shqipe dhe Kultura shqiptare” janë shpërndarë vetëm vitin e kaluar për nxënësit në diasporë. Janë mbi 700 mësues dhe rreth 25 mijë nxënës që ndjekin mësimin në gjuhën amtare. Këto nuk janë thjesht statistika, por janë rrënjë që forcohen, identitet që ruhet, kulturë që vazhdon brez pas brezi.”, tha Spahiu.

Nënkryetarja e Kuvendit theksoi gjithashtu se, “ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë nuk është vetëm çështje kulture, është çështje identiteti kombëtar, është investim për të ardhmen.”

” Një fëmijë që mëson shqip në Greqi, është një urë lidhëse mes dy vendeve, një ambasador i kulturës sonë dhe një garanci që rrënjët tona nuk do të shkulen kurrë. Prandaj, le ta mbështesim dhe ta forcojmë më tej zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës, duke garantuar vazhdimësi, burime dhe vizion afatgjatë. Puna e bërë nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës është një model suksesi që meriton jo vetëm vlerësim, por edhe mbështetje të mëtejshme institucionale.”, mbylli fjalën nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu.