Rasti
Gabimet gramatikore, kuptimore, të cilat deformojnë gjuhën shqipe, i vëren pothuajse te një pjesë e mirë e teksteve shkollore të ciklit 9-vjeçar. Rasti i dy ditëve më parë, nuk është i pari, por i disati në listën e akuzave e denoncimeve të vazhdueshme, jo vetëm nga gjuhëtarë, por edhe nga opinionistë, që duke pasur fëmijë në ciklin e ulët, janë përballur me fragmente që përcjellin përmbajtje abuzive dhe të padenjë për moshën e fëmijëve që i mëson ato. I tillë ishte rasti i tekstit të gjuhës shqipe të klasës së katërt, i botuar në gazetën Shqip, në mars të këtij viti, ku i bëhej reklamë një banke private, për të ilustruar mënyrën e kursimit të parave. “Gjergji dhe Joni, dy shokë klase duke shkëmbyer fotot e lojtarëve të kombëtares gjatë pushimit midis orëve. Joni blen nga Gjergji një foto për 1000 lekë. Joni që i fiton këto para do të blejë një biçikletë, por i duhen edhe shumë të tjera, sepse biçikleta kushton shumë më tepër se aq. Në ndihmë na i vjen Albana, e cila e këshillon që këto para t’i fusë në bankë dhe të hapë një llogari, ashtu siç ajo ka bërë vetë pak kohë më parë. Këshilla e Albanës ishte shumë konkrete. Paratë do i fusësh në x bankë dhe do hapësh një llogari për fëmijë me x emër”, thuhet në një prej fragmenteve të shkëputura në tekstin e Gjuhës Shqipe të klasës së katërt, i botuar në një prej komenteve të muajit mars në faqet e gazetës “Shqip”. Raste të këtij lloji, shërbejnë për të denoncuar jo vetëm tekstshkruesit, por edhe Ministrinë e Arsimit, e cila me sa duket nuk ofron filtrat e nevojshëm për seleksionimin dhe përzgjedhjen e teksteve të programeve shkollore.