Viti i ri akademik
Zhvillimi i lëndës nis fillimisht UT dhe në universitetin e Shkodrës
Shpresa Mezini
Me nisjen e vitit të ri akademik në të gjitha fakultetet e universitetit të Tiranës, në kurrikulat akademike do të përfshihet edhe lënda e Gjuhës Shqipe. Por, kjo sipas rektorit të universitetit të Tiranës, Dhori Kule, si lëndë me zgjedhje, jo me detyrim. Vendimi për futjen e Gjuhës Shqipe në universitetin e Tiranës erdhi pas kërkesave të shumta të drejtuesve të fakulteteve të ndryshme, të cilët mendojnë se njohuritë mbi këtë gjuhë po zhduken dita ditës. Drejtuesit e fakultetit të Histori- Filologjisë e përkrahin këtë nismë, por thonë se gjuha shqipe duhet të jetë e detyruar për të gjitha fakultetet. Sipas tyre, vetëm kjo mënyrë do të rrisë interesin për ta njohur gjuhë shqipe në të gjitha format e saj. Mësohet se gjuha shqipe do të zhvillohet si lëndë me zgjedhje edhe në universitetin shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ndërsa vitet e ardhshme, sipas planit të UT-së ajo do të shtrihet edhe në universitetet e tjera të vendit.
“Gjuha Shqipe sivjet është futur si një lëndë e rëndësishme, por me zgjedhje, e cila do të vlerësohet me kredite të caktuara për të gjitha fakultetet. Tani për tani do të zhvillohet si lëndë me zgjedhje, ndërsa në vitet e ardhshme synojmë që të jetë lëndë me detyrim”, tha Dhori Kule, rektori i universitetit të tiranës.
Ai tha se kjo lëndë do të pasurojë njohuritë e studentëve për gjuhën në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit.
Të njëjtin fakt pohojnë edhe pedagogët, por ato mendojnë se ndryshime duhet të pësojnë edhe kurrikulat, duke u mbështetur mbi tekstet e vjetra.
“Tekstet akademike shkencore, asnjëherë nuk krijohen nga e para, ato krijohen mbi përvojat dhe eksperiencat e mëparshme dhe kështu do të ndodhë gjithmonë. Mos të mendojmë se në të gjitha fushat dalin menjëherë tekste të rinj, do të ketë tekste të cilat e kanë marr konsiderimin për nivelin e tyre shkencor, nivelin metodik, ato do vazhdojnë të funksionojnë. Ka tekste dhe kjo është gjë e mirë të cilët i qëndrojnë kohës”, tha Ymer Çiraku, zv.dekan i Histori- Filologjisë.
Gjuha shqipe pritet që të jetë një nga shtyllat kryesore edhe në sistemin arsimor para universitar. Madje ajo pretendohet që të shtrihet që në ciklin parashkollor me disa prej elementëve të saj. Ky ka qenë propozimi më i fundit i qeverisë, pasi vitet e fundit është vënë re një dëmtim i gjuhës shqipe, kjo lidhur dhe me faktin se gjuha nuk ka qenë asnjëherë e ndarë nga letërsia.
Rektori Kule nuk nguron të flasë edhe për kampusin universitar, projekt që pritet të finalizohet së shpejti, ndonëse nuk dihet ende periudha kur do të fillojë ndërtimi i tij.