Viti 2014, ndryshim kurrikulash, gjuha prioritet nga gjimnazi deri në universitet
Shpresa Mezini
Duke nisur nga viti i ardhshëm shkollor lënda e Gjuhës Shqipe do të ndahet nga Letërsia. Kjo, për shkak se gjatë këtyre viteve, kur Gjuha Shqipe dhe Letërsia janë zhvilluar bashkë, gjuha është dëmtuar shumë, për rrjedhojë njohuritë që marrin nxënësit janë të cunguara. Ky është vendimi më i fundit që ka marrë Ministria e Arsimit, nisur nga propozimi që dekanët e fakulteteve i kanë bërë këtij institucioni, për ndarjen e lëndëve që në shkollë të mesme.
“Kjo kërkon së pari shmangien e metodës klasike dhe kalimin e mësimit të saj me rrokje. Ne në shkollë duhet të kemi dy shtylla kryesore, gjuhën dhe matematikën. Por nëse përmendim konceptin gjuhë-letërsi nuk bëjmë as gjuhë, as letërsi. Prandaj kurrikulat e reja do të hyjnë sa më shpejt në përdorim, për shkak se gjuha dhe ADN-ja janë dy elementet kryesore të identitetit tonë kombëtar”, sqarojnë burime në MASH për gazetën “Shqip”.
Të njëjtin mendim ndajnë edhe gjuhëtarët, të cilët thonë se ndarja e gjuhës nga Letërsia është domosdoshmëri për gjimnazistët, të cilët shfaqin mangësi të madha në lëndën e Gjuhës, fakt që evidentohet sidomos në fakultet. Mirëpo, ndarja e lëndëve mund të bëhet vetëm me ndryshimin e kurrikulës, me qëllim ndarjen e tyre edhe në procesin e maturës. Kështu zgjidhja e vetme është mësimi i plotë i gjuhës shqipe që në gjimnaz, pasi përfshirja e saj si lëndë bazë ose me zgjedhje në fakultet është e vonuar, pa efektivitet.
Propozimi
Kështu, nëse deri më tani maturantët kanë zhvilluar 2 provime të detyruara, Letërsi-Gjuhë Shqipe dhe Matematikë, vitin e ardhshëm do të jenë 3 provime, Gjuha Shqipe provim më vete nga letërsia.
“Është shumë e nevojshme që në shkollat e mesme maturantët ta japin lëndën e Gjuhës Shqipe si provim më vete. Por para se të ndodhë një gjë e tillë, fillimisht duhet që këto tekste të ndahen nëpërmjet kurrikulave”, theksojnë burime në MASH.
Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rrokaj, tha se një propozim i tillë ka kohë që është dorëzuar në tryezën e ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
“Është shumë e nevojshme e para, detyrimi i të gjitha shkollave deri në universitet që të mësojnë praktikumin e Gjuhës Shqipe, mënyrën se si shkruhet dhe mësohet gjuha standarde shqipe dhe nga ana tjetër provimi i parë që duhet dhënë, është provimi i zotërimit të gjuhës shqipe standarde. Prandaj, mendoj që Gjuha Shqipe duhet të futet si lëndë e parë, për nga rëndësia, por edhe për të shmangur mangësitë që shfaqin të rinjtë kur i drejtohen studimeve të larta”, tha Rrokaj.
Problematika
Mosnjohja e gjuhës shqipe ka ngritur njëzëri përfaqësuesit e fakulteteve në vend. Njëri pas tjetrit ata ngrenë shqetësimin për njohuritë e dobëta që kanë të rinjtë shqiptarë ndonëse gëzojnë statusin e studentit. Kjo evidentohet jo vetëm në fakultetet ku lënda e gjuhës shqipe është pjesë e kurrikulës akademike, por edhe në ato fakultete ku lënda nuk është e detyruar, ndonëse i nxjerrin zbuluar gabimet gramatikore dhe ortografike që vërehen në detyrat e kursit.
Vjet për herë të parë, pas një sërë debatesh mbi njohuritë që kanë të rinjtë në gjuhën shqipe, që në më të shumtën e rasteve rezultojnë të dobëta, kjo lëndë u bë pjesë e kurrikulës me zgjedhje, jo bazë. Kështu, në të gjitha fakultetet e vendit, edhe në ato me profil shkencor lënda e gjuhës shqipe mund të zhvillohet lehtësisht, por vetëm nëse studentët e përzgjedhin, e cila këmbehet me kredite shtesë. Kjo nismë erdhi jo vetëm në shërbim të studentëve, por edhe si një nismë e rëndësishme në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.