Procesi përfundon pas 17 vitesh nga zhdukja e Remzi Hoxhës


Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë vendimin për të pandehurit që akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, duke i shpallur fajtorë. Ilir Kumbaro, që cilësohet si personi që ka dijeni për të gjithë ngjarjen e tetorit të vitit 1995, është dënuar me 15 vite burg, megjithëse prej disa muajsh është zhdukur nga vendbanimi në Londër, ku ishte në proces ekstradimi në Shqipëri. Ndërkohë, në vendimin e dhënë nga gjyqtari Gurali Brahimllari, Remzi Hoxha është shpallur i vdekur. Ndërkohë, megjithëse Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi shpallen fajtor për shpërdorim detyre dhe veprime arbitrare, ata janë amnistuar në vitin 2007. Gjyqi ndaj tre të pandehurve për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës ka filluar në maj të 2008-s, ndërkohë që Kumbaro është i dënuar në mungesë, pasi është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ndërkaq, në seancën e 16 tetorit 2011, prokuroria tërhoqi akuzat për Arben Sefgjinin, ish-zëvendësdrejtor në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë dhe për Avdi Koldashin, ish-shefi i bazës nr.10 të vëzhgimit në SHIK, duke i shpallur të pafajshëm, pasi, sipas prokurorisë, akuzat ndaj tyre nuk mund të provohen.


 


Procesi


Gjykata mbajti qëndrim tjetër nga prokuroria, duke ndryshuar kualifikimin e veprave penale ndaj të akuzuarve, të cilët, sipas gjykatës, kanë kryer veprime të kundërligjshme, por me akuzën e re që gjykata u adresoi, ata përfitojnë nga amnistia e vitit 2007. E për këtë, ndaj Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit pushohet gjykimi, pohoi gjyqtari Gurali Brahimllari për akuzën e kryerjes së veprimeve arbitrare dhe cenimin e lirisë ndaj Remzi Hoxhës dhe Ziso Kristopullit, ndërsa ata janë të pafajshëm për këto akuza për të rrëmbyerin tjetër Avdyl Loshaj. Duke marrë në konsideratë një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë, gjykata e cilësoi marrjen nga SHIK-u të këtyre tre shtetasve si cenim lirie, pasi rrëmbimi kryhet, sipas gjykatës për qëllime përfitimi. Kjo do të thotë se edhe Ilir Kumbaro u dënua për një akuzë të re, atë të kryerjes së torturës me pasojë vdekjen e Remzi Hoxhës.


“Qytetari me kombësi shqiptare dhe shtetësi maqedonase, Remzi Hoxha, ka vdekur në harkun kohor të disa ditëve pas privimit nga liria dhe se në këtë kohë ka qenë në duart e punonjësve të Shërbimit Informative Kombëtar. Në këto rrethana, gjykata vendos se shtetasi Ilir Kumbaro, tej çdo dyshimi të arsyeshëm, ka qenë personi që ka mbajtur në izolim, që ka keqtrajtuar dhe dhunuar sistematikisht dhe në mënyrë çnjerëzore të dëmtuarin Remzi dhe për rrjedhojë me veprimet e tij të drejtpërdrejta, kriminale ka sjellë edhe vdekjen e tij, prandaj duhet të përgjigjet për veprimet e tij, sipas nenit 87 të Kodit Penal”, thuhet në vendimin e gjykatës. Për gjykatën është e paprovueshme se në çfarë rrethanash ka vdekur Remzi Hoxha gjatë kohës që ai po torturohej apo gjatë një momenti tjetër, por tha gjykata, biznesmeni nuk kishte asnjë mundësi të largohej nga baza e SHIK-ut në Vain, pasi perimetri ishte i rrethuar me rojë të armatosur, çka prezumon vdekjen e Remzi Hoxhës brenda ambienteve të SHIK-ut. “Në përfundim të këtij gjykimi, ndonëse nuk është gjetur trupi i të dëmtuarit Remzi, gjykata bindet se ai duhet të prezumohet i vdekur dhe se vdekja ka ndodhur gjatë periudhës që është mbajtur në izolim, ku provohet se prezentë kanë qenë, i pandehuri Ilir Kumbaro dhe vartësi i tij”, thuhet më tej në vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda.


 


Zhdukja


Ish-kryetari i degës në SHIK, Ilir Kumbaro, ishte strehuar në Angli për 12 vite dhe jetonte nën emrin e kosovarit Shaqa Shatri. Maskimi u realizua deri në korrik të 2012-s, kur autoritetet britanike iu përgjigjën Gjykatës së Krimeve të Rënda se Kumbaro nuk gjendej dhe për këtë arsye pyetja e tij dhe më pas ekstradimi në Tiranë për llogari të procesit ndaj Remzi Hoxhës nuk mund të realizohej. Më 21 tetor 2012 u mbushën plot 17 vjet nga zhdukja e mistershme e biznesmenit shqiptaro-maqedonas. Remzi Hoxha, sipas dosjes së prokurorisë, u rrëmbye në rrugën “Siri Kodra”, afër një magazine që ndodhet te zona e quajtur “Frigoriferi”. Persona civilë i kishin kërkuar atij që të shkonte me ta dhe pasi e kishin futur në një automjet, ai është transportuar në sekret të plotë në bazën e SHIK-ut në Lezhë. Pikërisht në këtë bazë ishin shoqëruar edhe dy persona të tjerë, shtetasi Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli, të cilët së bashku me Remzi Hoxhën, sipas prokurorisë, u torturuan me metoda çnjerëzore nga të pandehurit Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi.


 


Ardian Hoxha: Ma vranë babanë për herë të dytë


Ardian Hoxha djali i Remzi Hoxha – Unë e kam miratimin nga familja që po të na i gjejnë eshtrat edhe ua falim gjakun, në të kundërt na mbetet që neve ta zbatojmë ligjin vetë, ndaj të gjithëve këtyre që kanë të përfshirë, nga Sali Berisha


Menjëherë pas vendimit të gjykatës ka reaguar djali i Remzi Hoxhës, Ardian Hoxha, i cili është shumë i indinjuar me vendimin e gjykatës dhe u shpreh se “me këtë vendim ma vranë për herë të dytë babanë”. Ai priste që të gjithë të dënoheshin dhe jo vetëm Kumbaro. “Drejtësia në Shqipëri, për herë të dytë më vrau babanë. Kjo është drejtësia e Sali Berishës. Më vjen turp të them që jam shqiptar. Prisnim që të gjithë të përfundonin në burg dhe jo shefi i Ilir Kumbaros të lihej i lirë. Kemi 17 vite që torturohemi. Këtu është bërë si filmi ‘Kumbari’. Këtu nuk mbrohet e drejta, këtu mbrohet krimi, këtu mbrohen kriminelët”, deklaroi Hoxha. I pyetur nëse do të bënte vetëgjyqësi, ashtu siç ka deklaruar më parë, Ardian Hoxha u shpreh se “të gjitha opsionet janë të hapura, të mos mendojë se do t’i shpëtojë njeri drejtësisë”. Ai ka akuzuar më pas prokurorinë dhe Kryeministrin Berisha, madje edhe ish-kreun e SHIK-ut, Bashkim Gazidede, që ka ndërruar jetë para disa viteve. “Nuk e njoh Prokurorinë e Apelit dhe ne nuk kemi të drejtë të apelojmë. Kjo është loja që e luan pushtetin. Neve na përfaqëson prokuroria. Të gjithë punojnë për Berishën, ai ka qenë urdhërdhënësi, ai dhe Bashkim Gazidede. Janë edhe disa prova të tjera që prokuroria i ka”, theksoi Ardian Hoxha.