Historia


Denoncimi, nga “Fiks Fare”. Sotir Tego, dyshime se i mori një studenteje 3 mijë euro për notën 5, pas denoncimit ia ktheu në 4 


Sokol Çobo


studente proteste diploma fallcoNjë pedagog në Fakultetin e Gjeologji-Minierave në Universitetin e Tiranës është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 4 muaj burg, dënim i cili i është konvertuar me kusht, për akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Sotir Tego jepte lëndën e Mekanikës fluide I dhe II. E dëmtuara S.I. ka qenë studente e tij në lëndën Mekanika fluide II dhe ka ngelur gati 16 herë. Herën e fundit që ka dhënë provimin në datë 13 shtator 2010, ajo i ka dhënë shtetasit Pandeli Tego shumën prej 3000 eurosh, me qëllim marrjen e notës pesë. Për realizimin e këtij qëllimi ajo i është drejtuar emisionit “Fiks Fare”, i cili i ka dhënë shumën prej 3000 eurosh dhe ka filmuar këto fakte. Pasi ka dhënë provimin, ajo pretendon se ka marrë notën 5 përkundrejt 40 pikëve. Sipas vendimit të gjykatës, “Fiks Fare”, në datë 16.09.2010 ka dhënë xhirimet e bëra prej saj dhe në fletën e provimit të datës 22.09.2010, e cila është dorëzuar në sekretari, S.I. ka rezultuar me notën jo kaluese katër. Prokuroria e Fierit ka urdhëruar dhe ka regjistruar një procedim, pasi kishte dijeni se një person me emrin Pandeli Tego i kërkon një shumë parash një studenteje në këmbim të kalimit të një provimit në Universitetin e Tiranës, te profesori Sotir Tego që është vëllai i shtetasit Pandeli.


Nga shqyrtimi gjyqësor, ka rezultuar se shtetasja S.I. në vitin 2002-2003 është regjistruar për herë të parë si studente e Gjeologji- Minierave në Universitetin e Tiranës. Në vitin e dytë ajo ka dhënë provim lëndën Mekanika e fluideve 1, pedagog i së cilës ka qenë i pandehuri, në përfundim të së cilës ka marrë notë kaluese. Në vitin e katërt ajo ka dhënë provim lëndën Mekanika e fluideve 2, ku përsëri pedagog i lëndës ka qenë i pandehuri. Në këtë provim ajo nuk ka marrë notë kaluese. Kjo shtetase ka mbaruar edhe vitin e pestë të fakultetit në vitin 2007 dhe deri në vitin 2010 ajo nuk ka marrë notë kaluese në lëndën e sipërcituar, të paktën për pesëmbëdhjetë herë. Ajo ka marrë dijeni nga biseda me studentë dhe persona të interesuar se mënyra e vetme për të marrë notë kaluese ishte dhënia e parave të pandehurit. Paratë nuk i merrte drejtpërdrejt i pandehuri, por këto i merrte i vëllai i të pandehurit, që jetonte në Fier. Ajo ka biseduar me motrën e saj, banore e Fierit, e cila, nga ana e saj, ka kontaktuar Pandeli Tegon. Nga biseda që ka pasur me këtë shtetas, është vënë në dijeni se për të marrë notë kaluese motra e saj duhej të paguante një shumë prej 3000 eurosh. Duke qenë në pamundësi për të paguar shumën e kërkuar prej 3000 eurosh, është drejtuar te drejtuesi i emisionit “Fiks Fare” në televizionin “Top Channel”, me qëllim denoncimin publik të veprimeve të kundërligjshme të shtetasit Pandeli Tego e të pandehurit. Gazetarët e “Fiks Fare” kanë mundur të sigurojnë përgjimin e bisedave të zhvilluara në mes shtetasit Pandeli Tego dhe shtetases S.I., të zhvilluara në qytetin e Fierit. Në njërën nga këto biseda, më datë 7 shtator 2010, shtetasja S.I. i ka dhënë shtetasit Pandeli Tego një shumë prej 3000 eurosh, me qëllim që i pandehuri Sotir Tego, më datë 13.09.2010, datë në të cilin shtetasja S. I. do të jepte provimin, të vlerësonte këtë të fundit me notë kaluese.


Më datë 13.09.2010, S.I. është futur në provim. Pasi ka marrë numrin e kodit të fletores, kjo shtetase ka dalë nga provimi dhe ka marrë në telefon shtetasin Pandeli Tego, ku i ka treguar për numrin e kodit të fletores. Pas kësaj, shtetasi Pandeli Tego e ka njoftuar se do ta merrte të nesërmen për të treguar notën e marrë. Të nesërmen, më datë 14.09.2010, ajo ka marrë përsëri në telefon shtetasin Pandeli Tego, i cili i ka thënë se kishte marrë notë kaluese 5 (pesë) dhe nota kaluese ishte e afishuar në një listë në derën e pedagogut. Më datë 15.09.2010, kjo shtetase ka shkuar në fakultet, ku në një listë të afishuar në derën e zyrës së të pandehurit Sotir Tego ka parë se ishte vlerësuar me notën kaluese 5 (pesë) dhe në krah të saj ka parë numrin e pikëve 50 (pesëdhjetë) pikë.


Sipas vendimit të gjykatës, pas shfaqjes së pamjeve filmike në emisionin “Fiks Fare”, i pandehuri Sotir Tego ka ndërhyrë në dokumentet që pasqyronin marrjen e notës kaluese nga shtetasja S. I. Ai ka falsifikuar të dhënat në fletoren e provimit të shtetases S. I., duke hequr fletën e parë të fletores dhe vendosur një fletë tjetër të kësaj fletoreje si fletë të parë dhe ndryshoi vlerësimin nga 5 në notën 4, notë jokaluese. Më pas i pandehuri ka ndryshuar edhe notën dhe vlerësimin në pikë për S.I. në procesverbalin e afishuar në ambientet e fakultetit, duke vendosur një tjetër procesverbal, duke ndryshuar notën në 4, si dhe vlerësimin në 40 (dyzet) pikë. Kjo është bërë duke ndërhyrë në kompjuterin personal të të pandehurit. Gjatë gjykimit, mbrojtja e të pandehurit Sotir Tego dhe i pandehuri kërkuan pafajësi. Sipas tyre, akuza, në asnjë moment nuk ka arritur të provojë se Sotir Tego ka përfituar ndonjë shpërblim financiar, ka kërkuar dhënien e ndonjë shpërblimi, apo përfitim të çdo lloj natyre shtetases S.I., apo të ndonjë personi tjetër me qëllim vlerësimin me notë kaluese të kësaj të fundit. Madje, mbrojtja parashtroi se nuk ka asnjë falsifikim.


“Gjykata në analizë të provave shkresore dhe ato me dëshmitarë krijon bindjen e brendshme se i pandehuri Sotir Tego duhet të deklarohet fajtor për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve dhe të deklarohet i pafajshëm për veprën penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, thuhet në vendimin e gjykatës. Sipas saj, është bërë këqyrja e kompjuterëve, nga ku doli se kishte dy variante për notën e kësaj shtetase, njëherë 5 dhe herën tjetër, pas denoncimit në “Fiks Fare”, në 4. Ndërkohë, edhe fletorja e provimit është falsifikuar dhe janë shtuar fletë. Përfundimisht, gjykata e dënoi me katër muaj burg, i cili i konvertohet me kusht, në mënyrë që Sotir Tego të mos shoqërohet me elementë kriminalë apo të mos kryejë vepër tjetër penale.