KLD vendosi që gjyqtarët kandidatë do të japin provimin më datat 21 dhe 22 janar
Në mbledhje u diskutua edhe për fondin e pyetjeve, ku sipas anëtarëve të KLD-së duhet të reduktohen
Këshilli i Lartë i Drejtësisë shqyrtoi dje edhe projektvendimin lidhur me procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit në vend, ndërkohë që shtyu afatin e testimit të gjyqtarëve, me qëllim për t’u lënë kohë që të përgatiten. Data e provimit është shtyrë me kërkesë të anëtarëve të KLD-së dhe nga Presidenti i Republikës u caktuan datat 21-22 janar. Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës garantoi një proces sa më transparent për publikun në përzgjedhjen e kandidatëve që do të kryejnë funksionin e gjyqtarit në Gjykatat Administrative. Ndër të tjera, ai kërkoi krijimin e një trupe gjyqësore me cilësi të larta profesionale dhe me integritet. Anëtari i KLD-së, Ilir Mustafaj tha se gjyqtarët që do të mandatohen, duhet të përzgjidhen nga një komision i ngritur nga ky organ. Ndër të tjera, ai këshilloi që mandati për gjyqtarët e Shkallës së Parë të Gjykatës Administrative të zgjasë 5 vjet dhe 9 vjet për ata të Apelit. Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, tha se ngritja e Gjykatës Administrative është e rëndësishme dhe risi në këtë është fakti që gjyqtarët do t’i nënshtrohen një konkursi. “Më të mirët, do të jenë pjesë e administratës së kësaj gjykate. Afati i dorëzimit të kërkesave për konkurrim ka përfunduar dhe pritet që ata t’i nënshtrohen testimit. Kriter bazë për të konkurruar është që kandidati të jetë gjyqtar. Nëse nuk e fitojnë garën, ata do të vijojnë punën e tyre. Dalja e përgjigjeve do të bëhet në një kohë rekord”, ka cituar Halimi. Ndërsa Neshat Fana, anëtar i KLD-së, ngriti shqetësimin se nëse konkurrentët janë më të paktë se kërkesat për gjyqtarë të KLD-së, si do të veprohet me emërimet e tyre, për të plotësuar numrin e administratës. “Një tjetër problem është edhe emërimi i gjyqtarëve që do të spostohen nga pozicioni që mbajnë, drejt Gjykatës Administrative”, tha Fana. Presidenti Nishani u është përgjigjur se, nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë do të mblidhen sërish për të diskutuar për këtë çështje. Ndër të tjera, është diskutuar edhe për fondin e pyetjeve, ku sipas anëtarëve të këshillit duhet të reduktohen. Ata kanë kërkuar që ai të jetë më i thjeshtë dhe më i reduktuar. Korrigjimi i testimit, do të bëhet, në rrugë elektronike. S. M.
