Maqedoni
Një prej gjykatësve jep dorëheqjen në shenjë proteste ndaj vendimit pro qeverisë
Sinisa Jakov Marusic, BIRN
Gjykata Administrative e Maqedonisë anuloi fitoren elektorale të kandidatit të opozitës në Shkup si dhe të kandidatit të përbashkët shqiptar në Strugë, një vend i debatueshëm ky që u prit me protesta.
Kreu i gjykatës, Isamedin Limani, njoftoi menjëherë dorëheqjen për arsye morale, sapo kolegët e tij urdhëruan zgjedhje të reja për qeverisjen vendore në komunat Qendër Shkup dhe Strugë, duke pranuar pothuajse të gjitha ankesat e dorëzuara nga partia në pushtet VMRO DPMNE. Gjykata urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve të dielën e ardhshme. Vendimi anuloi fitoren e kandidatit të opozitës Andrej Zernovski në Qendër-Shkup, si dhe atë të Zijadin Selës në Strugë.
Kjo është një “lëvizje e turpshme, tipar i të gjithë regjimeve totalitare”, tha Zernovski të hënën, duke akuzuar qeverinë për ndikim të gjykatës. Sela e cilësoi vendimin e gjykatës “të turpshëm”.
Komuna Qendër është drejtuar gjatë katër viteve të fundit nga Vladimir Todorovic dhe ka qenë një bastion i partisë në pushtet VMRO DPMNE. Ajo ka rol të rëndësishëm në shpërndarjen e parave për projektin e shumëdebatuar “Shkup 2014”, i cili njihet për ndërtesat monumentale dhe statujat e pafundme.
Ndërsa Todorovic mbështet planet e qeverisë dhe ka marrë dhjetëra milionë euro nga qeveria për të ngritur statuja, Zernovski e kundërshton atë dhe akuzon kundërshtarët për pastrim parash. Ai ka premtuar hetim.
Todorovic, i cili humbi si në raundin e parë ashtu edhe në të dytin përballë Zernovski, e përshëndeti vendimin si “të drejtë”. Pas raundit të parë më 24 mars, Zernovski shpalli fitoren duke deklaruar se pati fituar më shumë se gjysmën e votave. Por me një vendim tjetër të debatuar, Komisioni Zgjedhor urdhëroi një raund të dytë. Vendimi erdhi tri ditë pasi votimi u përfundua, duke hedhur dyshime shtesë mbi procesin e numërimit.
Në raundin e dytë më 7 prill, Zernovski fitoi sërish, ndërkohë që akuzat qenë të shumta për qeverinë për manipulim të rezultatit. Akuza të tilla u hodhën si nga opozita ashtu edhe nga monitoruesit nga shoqëria civile.
Në Strugë, kandidati i përbashkët maqedonas i mbështetur si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita, humbi përballë kandidatit shqiptar Zijadin Sela.