Sokol Sadushi i ka dorëzuar ditën e sotme zyrtarisht detyrën e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Ilir Pandës. Ai ishte i vetëm në garë për kreun e Gjykatës së Lartë.
Në fjalën e tij, Sadushi falënderoi ekipin për përkushtimin dhe bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, duke kujtuar fillimet me vetëm një gjyqtar e mijëra dosje në pritje. Duke konfirmuar se do të vijojë kontributin e tij pranë këtij institucioni si gjyqtar, ai u shpreh:
“Për mua përfundon sot detyra e kryetarit, ndërsa vijon përgjegjësia si gjyqtar i kësaj gjykate. Do të vazhdoj të punoj përkrah jush, me të njëjtin përkushtim ndaj institucionit dhe ndaj qytetarëve që presin drejtësi.”
Pas përfundimit të mandatit si kryetar, Sokol Sadushi nuk largohet nga Gjykata e Lartë. Ai do të vijojë të ushtrojë funksionin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë deri në vitin 2029. Sadushi është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë në vitin 2020 dhe mandati i anëtarit të kësaj gjykate është nëntë vjet.
Nga ana e tij, Kryetari i ri, Ilir Panda, e cilësoi marrjen e detyrës si një angazhim të lartë ndaj Kushtetutës dhe qytetarëve, duke vlerësuar punën e bërë për ringritjen e Gjykatës së Lartë. Ai nënvizoi se besimi i publikut ndërtohet përmes standardeve të larta dhe punës së përditshme, duke theksuar:
“Besimi i publikut ndërtohet përmes cilësisë së vendimmarrjes, arsyetimit të qartë e të qëndrueshëm gjyqësor, administrimit efikas të proceseve dhe përgjegjësisë institucionale.”
