Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Fatime Kryemadhit, duke lënë në fuqi vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila nuk pranoi tërheqjen e saj nga kërkesa për gjykim të shkurtuar.
Vendimi u shpall këtë të martë, ku trupa gjykuese vendosi të mos pranojë ankimin e veçantë të Kryemadhit ndaj vendimit të datës 15 qershor 2026 të GJKKO-së.
Ndërkohë, procesi gjyqësor në themel ndaj Fatime Kryemadhit, Ema Cokut dhe Pirro Xhixhos është shtyrë për në muajin shtator, për shkak të ndërprerjes së seancave gjatë muajit gusht.
Në këtë çështje, e cila është ndarë nga procesi ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka paraqitur tashmë pretencën për tre të pandehurit. Në vijim, pritet që mbrojtja e tyre të paraqesë argumentet përfundimtare para gjykatës.
