Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga ish-presidenti Ilir Meta, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Meta kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë, duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për ta mbajtur në paraburgim, por kërkesa e tij nuk u pranua nga gjykata.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përmbyllur seancën paraprake për ish-kreun e shtetit, ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurit e tjerë.
Gjykata pritet të vendosë të mërkurën e ardhshme nëse dosja penale ndaj tyre do të kalojë për gjykim ose jo.
Ndaj Ilir Metës rëndojnë disa akuza, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë.
