Gjykata e Lartë ka vendosur të mos ndryshojë masën e sigurisë ndaj Mario Çelës dhe Sergej Hasanpapajt, duke rrëzuar kërkesat e tyre për zbutjen e masës “arrest me burg”. Vendimi u mor në dhomë këshillimi nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Genti Shala.

Mario Çela, i njohur si vëllai i Suel Çelës, u arrestua në Belgjikë pas një urdhri të lëshuar nga SPAK dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë. Ai akuzohet për përfshirje në organizatë kriminale, posedim të paligjshëm armësh dhe korrupsion aktiv në sektorin privat.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Mario Çela dyshohet se ka pasur një rol të rëndësishëm në menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve të grupit kriminal që autoritetet e lidhin me Suel Çelën. Hetuesit pretendojnë se struktura kriminale ka qenë e angazhuar në trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash, veprimtari korruptive dhe ngjarje të rënda kriminale.

Nga ana tjetër, Sergej Hasanpapaj u kthye në Shqipëri në muajin shkurt pas ekstradimit nga Belgjika. Ai përballet me akuza që lidhen me atentatin ndaj Bledar Muçës, ngjarje e ndodhur në Belgjikë në vitin 2022. Hasanpapaj ishte vënë në pranga nga autoritetet belge po atë vit dhe konsiderohet një emër i njohur në dosjet kriminale që lidhen me Elbasanin.

Ndaj tij, në vitin 2024, gjykata kishte vendosur masën “arrest në burg”, ndërsa ai u shpall në kërkim ndërkombëtar për akuzat e vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë, kryer në kuadër të organizatës kriminale, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Të dy të pandehurit janë pjesë e procesit që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku po gjykohen gjithsej 21 persona të dyshuar si pjesëtarë të grupit kriminal të drejtuar nga Suel Çela.

Sipas dosjes së SPAK-ut, grupi dyshohet se ka organizuar dhe financuar disa operacione të trafikimit ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve europiane. Hetimet përfshijnë, ndër të tjera, një tentativë për transportimin e rreth 930 kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt tregut europian në fund të vitit 2020, si dhe një episod tjetër me 466 kilogramë kokainë që dyshohet se kishte destinacion Holandën në fillim të vitit 2021.