Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për 12 nga 22 protestuesit e arrestuar gjatë protestave, të cilët dolën sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Për 12 protestuesit, Gjykata e vlerësoi arrestimin e ligjshëm, por ndaj tyre vendosi “detyrim paraqitje”.
Në “detyrim paraqitje” u lanë: Mario Shitka, Erti Zhilla, Redon Hoxha, Brahim Omenaj, Eugen Neziri, Leon Neziri, Xhulio Meçani, Rexhep Kuçaj, Elsard Nxh(e)çi, Arbër Elezi, Admirand Ballolli dhe Orked Shaqiri.
Ndërkohë, mësohet se seanca po vijon për 10 protestuesit e tjerë, për të cilët pritet të bëhet vlerësimi i arrestimit dhe caktimi i masës së sigurisë ndaj tyre.
Protestuesit u arrestuan pas akteve të dhunës gjatë protestave, të shoqëruara me sulme ndaj efektivëve të Policisë, institucioneve, bizneseve dhe bankave. Ata akuzohen për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja e manifestimeve të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Sot mbahet protesta e 15-të e studentëve, ndërsa kryeministri Edi Rama i ka ftuar sërish në dialog. Kërkesa e Ramës është refuzuar disa herë nga qytetarë e studentë, ndërsa kreu i qeverisë ka veçuar se ftesa për dialog nuk është për dhunuesit, teksa ka prezantuar dhe paketën anti-dhunë ku parashikohet ashpërsim i dënimeve
