Gjykata e Vatikanit ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 18 muaj burg ish-shërbëtorin e Papa Benediktit XVI. Paolo Gabriele akuzohej për vjedhjen e dokumenteve të Papatit dhe kalimin e tyre në shtyp. Dokumentet e vjedhura kanë përfshirë letra që flisnin për korrupsion të dyshuar në marrëveshjet e biznesit të Vatikanit. Skandali i “Vatileaks” ka të bëjë me rrjedhjen e një sërë dokumentesh sekrete të Selisë së Shenjtë dhe më pas publikimin e tyre në media. Këto dokumente flasin për korrupsionin dhe pastrimin e parave në të cilin ishin të përfshirë disa zyrtarë të lartë të Vatikanit. Vetë Gabriele mohoi akuzën e vjedhjes së dokumenteve konfidenciale, por pranon se ka abuzuar me besimin e Papës, të cilin e ka vlerësuar si baba. Por Vatikani ka thënë se Papa Benedikti XVI ka gjasa ta falë ish-shërbëtorin e tij, Paolo Gabriele, i cili është dënuar me 18 muaj burgim për vjedhjen e dokumenteve të Papatit dhe kalimin e tyre në shtyp. Zëdhënësi i Vatikanit, at Federico Lombardo, u ka thënë gazetarëve se “falja është një opsion konkret dhe i mundshëm”. Ai ka thënë se Gabriele, i cili është dënuar nga Gjykata e Vatikanit, nuk është transferuar ende në burg dhe se mbetet në arrest shtëpiak. Vendimi i djeshëm vjen pas apelit emocional të Gabrieles, i cili ka thënë se nuk është hajdut dhe se ka vepruar nga dashuria e thellë për Kishën dhe Papën. Fillimisht Paolo Gabriele deklaroi se ishte keqtrajtuar nga xhandarmëria e Vatikanit gjatë qëndrimit në qelitë e Selisë së Shenjtë.
