Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore ndaj Rezart Abazaj, i cili akuzohet se rrezikoi jetën e efektivëve të policisë gjatë një ndjekjeje të tensionuar në Durrës.
Gjykata ka caktuar ndaj 44-vjeçarit masën e sigurisë “arrest në burg”, duke vlerësuar si të lartë rrezikshmërinë e tij dhe sjelljen agresive ndaj punonjësve të policisë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 16 majit në lagjen 17 të qytetit, vetëm pak ditë pas aksidentit tragjik ku humbën jetën dy fëmijë, çka kishte sjellë shtim të kontrolleve nga policia rrugore ndaj drejtuesve që lëviznin në gjendje të dehur.
Sipas hetimeve, efektivët kanë konstatuar një automjet tip Ford Focus pa targa, që lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të çrregullt në rrugicat e zonës.
Pavarësisht urdhrit për të ndaluar, drejtuesi dyshohet se ka shtuar shpejtësinë dhe është futur në rrugët e brendshme të lagjes, ndërsa patrulla e policisë e ka ndjekur për disa minuta.
Automjeti ka ndaluar për pak çaste në rrugën Rruga “Nikolin Xhoja”, ku një efektiv policie është afruar për t’i kërkuar shoferit të fikte mjetin. Sipas dosjes hetimore, në atë moment 44-vjeçari ka shtypur gazin, duke tërhequr efektivin dhe duke i dëmtuar dorën.
Më pas situata është përshkallëzuar edhe më tej, pasi drejtuesi i automjetit ka lëvizur me shpejtësi mbrapsht dhe është përplasur me makinën e policisë, duke shkaktuar dëme të shumta materiale dhe hapjen e airbag-ëve.
”Rreth orës 19:45, në drejtimin e tyre është afruar një mjet Ford Fokus, me ngjyrë gri, pa targa, i cili ecte në mënyrë të çrregullt dhe me shpejtësi. Pasi u afrua më shumë, i kanë bërë shenjë ndalimi me tabelë, por ky mjet nuk ka ndaluar por ka shtuar shpejtësinë dhe është largua nëpër rrugicat e L. 17/1. Në këto kushte punonjësit e policisë së qarkullimit i janë vënë në ndjekje me mjetin e policisë me targa …. Pas disa minutash ndjekje, në rrugën ”Nikolin Xhoja”, kanë sinjalizuar me sirena mjetin Ford për të ndaluar dhe për një moment ai ka ndaluar, ndërkohë që punonjësi i policisë F.H. ka zbritur për të komunikuar me drejtuesin nga krahu i pasagjerit duke i bërë thirrje drejtuesit që të fikë mjetin dhe ta sigurojë atë.
Drejtuesi nuk e ka dëgjuar duke bërë shenja që donte të largohej. Në këtë moment punonjësi i policisë i ka hapur derën e pasagjerit po drejtuesi i ka dhënë gaz mjetit, duke e tërhequr punonjësin e policisë dhe dëmtuar në dorën e djathtë. Për inerci ai ka tërhequr dorën dhe drejtuesi shtetasi Rezart Abazaj ka vazhduar lëvizjen drejt për disa metra. Në këtë moment komandanti ka njoftuar me radio sallën duke kërkuar përforcime dhe pikërisht sapo futej tek mjeti i policisë, drejtuesi i Fordit shtetasi Rezart, ka ecur mbrapsht me shpejtësi, me gaz në maksimum dhe ka goditur fort mjetin e policisë, duke shkaktuar shumë dëme derisa janë hapur edhe airbag-ët. Plastika e parakolpit që është spostuar e ka goditur në këmbën e djathtë duke e dëmtuar punonjësin e policisë. Në këto kushte punonjësit e policisë kanë neutralizuar drejtuesin.”, thuhet në materialin e prokurorisë të dorëzuar në gjykatë.
Sipas hetimeve, 44-vjeçari ka kundërshtuar me dhunë arrestimin, duke tentuar të largohej dhe duke shtyrë punonjësit e policisë gjatë neutralizimit. Në zonë ndodheshin edhe shumë fëmijë që po luanin pranë rrugës, çka sipas hetuesve e bënte situatën edhe më të rrezikshme. Testi i alkoolit tregoi se Rezart Abazaj drejtonte automjetin me 1.4 mg/l alkool, dhe në matjen e dytë ka rezultuar 1.35 mg/l ndërsa verifikimet zbuluan se ai nuk ishte i pajisur me leje drejtimi. Po ashtu, rezulton përsëritës për të njëjtën vepër penale, pasi edhe më 5 mars ishte arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Në argumentimin e saj, prokurorja Kurti vlerësoi para Gjykatës se masa “arrest në burg” ishte e domosdoshme për shkak të rrezikshmërisë së autorit, nivelit të lartë të alkoolit, përsëritjes së veprës penale dhe dhunës ndaj punonjësve të policisë. Sipas organit të akuzës, çdo masë më e lehtë sigurie do të ishte e pamjaftueshme për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të ngjashme.
