Avokati i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Plarent Ndreca ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese duhet të pranojë kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë.
Në një lidhje direkte në Top News, Ndreca u shpreh se në këtë mënyrë, Kushtetuesja i jep efektivitet vendimit të saj të mëparshëm për ta rikthyer kryebashkiakun Veliaj në detyrë.
“Ne shpresojmë shumë që jo vetëm për këtë rast, por për çdo rast, madje përtej rastit individual, ne si vend duhet të ndalojmë proceset brenda sistemit tonë në mënyrë që të tregojmë pjekuri institucionale dhe pjekuri të procesit gjyqësor. Në rastin e zotit Veliaj, ne shpresojmë shumë dhe duhet me patjetër, ashtu si në rastin e parë, Gjykata Kushtetuese e tregoi pjekurinë e vet institucionale dhe ndërhyrjen për rikthimin e zotit Veliaj në detyrë, unë mendoj se edhe në këtë rast, Gjykata Kushtetuese, duhet t’i japë efektivitet vendimit të saj. Sepse nga njëra anë thotë që duhet të shkosh në detyrë, dhe nga ana tjetër nuk ka kuptim që vetë po kjo gjykatë të thotë që jo, mund të qëndrojë dhe prapa hekurave”, u shpreh Ndreca.
Ndreca theksoi se do të ishte absurde në rast se Gjykata Kushtetuese refuzon kërkesën e Veliajt për të dalë nga qelia, megjithatë theksoi se në rast se kjo ndodh, do ta dërgojnë çështjen në Strasburg, konform rregullave të konventës evropiane të të drejtave të njeriut.
“Do ishte një absurd dhe një tregues i një papjekurie institucionale që unë mendoj që në këtë rast nuk do të ndodhë. Dhe vlerësoj që gjykata Kushtetuese do ta tregojë pjekurinë e vet institucionale. Madje unë mendoj që për fat të keq, ne kemi shkuar deri në Gjykatën Kushtetuese, sepse unë mendoj që edhe gjykatat e mëposhtme duhet të kishin treguar të njëjtën pjekuri kushtetuese që në mënyrë që ne të mos shkonim kaq larg. Megjithatë, edhe nëse ndodh që Gjykata Kushtetuese nuk do e marrë në konsideratë kërkesën, që në gjykimin tonë është e parrëzueshme nga pikëpamja kushtetuese, ne do shkojmë menjëherë në Strasburg, duke shfrytëzuar çdo kanal shpejtësie që na lejon konventa europiane e të drejtave të njeriut, për ta marrë në shqyrtim sa më shpejt kërkesën tonë”, deklaroi ai.
Vendimi për kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj do të jepet në seancën e ardhshme. Kjo është hera e dytë që Veliaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila në janar të këtij viti, e konfirmoi në detyrë si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Top Channel
