Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e tij lidhur me masën e sigurisë dhe procedurën e arrestimit.
Në një reagim në Facebook, Meta e cilësoi vendimin si të pritshëm, duke ironizuar institucionin me shprehjen “Gjykata e Lanës”. Sipas tij, vendimi vjen pas një zvarritjeje të qëllimshme prej 6 muajsh, me synim pengimin e ndjekjes së çështjes në instancat ndërkombëtare.
Reagimi i Ilir Metës:
Asnjë suprizë nga Gjykata e Lanës! Pasi e zvarriti çështjen prej 6 muajsh, përtej çdo afati të arsyeshëm, me qëllim, vonimin në rrugën tonë drejt Strasburgut, sot tregoi edhe njëherë se kjo Gjykata nuk di të zhgënjejë.
Vlerësimin tim për të e kam thënë që më 2 Mars 2020 kur këta betoheshin te Lana.
Por se paku të kenë fare pak dinjitet dhe të mos vonojnë zbardhjen e vendimit të tyre.
Edhe njëherë i ftoj të gjithë mediat dhe gazetarët, më 27 prill, në seancën e parë të gjykimit në themel, dhe në të gjitha seancat e tjera, ku do të jem ballë për ballë me bandën, që më rrëmbeu në mënyrë banditeske dhe ku do të çmontojmë këtë proces farsë të neveritshëm të drejtësisë me regji.
