Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të Erion Veliaj, duke shfuqizuar vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë dhe duke rikthyer çështjen për rishqyrtim.
Sipas vendimit, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Gjykata e Lartë nuk ka kryer një analizë të plotë kushtetuese mbi masën e sigurisë ndaj Veliajt dhe nuk ka vlerësuar proporcionalitetin e saj në raport me funksionin publik që ai ushtron si kryetar i Bashkisë së Tiranës, mandat i marrë përmes votës së qytetarëve.
Në arsyetimin e saj, Kushtetuesja thekson se nuk janë shqyrtuar alternativat ndaj paraburgimit dhe as ndikimi që kjo masë ka mbi ushtrimin e mandatit të fituar në mënyrë demokratike. Gjykata vlerëson se nuk është dhënë një përgjigje e qartë kushtetuese as për të drejtën e qytetarëve të Tiranës për t’u përfaqësuar nga drejtuesi që kanë zgjedhur me votë.
Vendimi konsiderohet një zhvillim me rëndësi për standardet kushtetuese që lidhen me kufizimin e lirisë personale, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për funksione publike të dala nga zgjedhjet.
Tashmë çështja i rikthehet Gjykatës së Lartë, e cila pritet ta shqyrtojë me prioritet, duke respektuar detyrimet dhe standardet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.
