Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur me shumicë votash të rrëzojë kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta, i cili synonte shfuqizimin e vendimeve të tre gjykatave për masën e sigurisë “arrest në burg”.

Sipas vendimit, pretendimet e Metës lidhur me mënyrën e ekzekutimit të masës së sigurisë janë trajtuar më herët në instanca të tjera gjyqësore. Gjykata vëren se ish-presidenti ka depozituar edhe kallëzim për veprime të dyshuara arbitrare në Prokuroria e Tiranës, ku çështja vijon të jetë në hetim.

Për këtë arsye, Kushtetuesja ka vendosur të mos marrë në shqyrtim këtë pjesë të kërkesës, duke argumentuar se më parë duhet të ketë një qëndrim nga gjykatat e zakonshme.

Vendimi përfundimtar lë në fuqi masën aktuale të sigurisë ndaj Metës.