Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për çështjen e pagave të gjyqtarëve, pas padisë së këtyre të fundit, duke vendosur që të pranojë pjesërisht kërkesën e gjyqtarëve. Kërkesa e gjyqtarëve është pranuar, por Kuvendi duhet të gjejë formulën dhe të bëjë ligj të ri.
Siç raporton gazetarja Anila Hoxha, gjykata thekson se ligjvënësi ka diskrecion për referencën e pagave megjithatë, në ushtrimin e kësaj kompetence duhet të mbajë parasysh përcaktimet e nenit 138 të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese shprehet në vendimin e ndaj se mbrojtja e Kushtetutës nuk lejon rënie të pagës së drejtpërdrejtë apo të fshehur dhe se formula e kundërshtuar në raport me rritjen ekonomike ka pasjellë ulje të fshehur të pagave. Në këto kushte, Kuvendi duhet të sjellë ndryshime për të përshtatur pagat e gjyqtarëve. Gjykata vlerëson se efektet financiare të ligjit të ri duhet të llogaritet nga 2023.
Gjyqtarët kanë kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve ligjore që u bënë për pagën e tyre në vitin 2023 nga qeveria, e cila zbatoi kështu vendimin e një viti më herët të Kushtetutës dhe përcaktoi se rroga e gjyqtarëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit. Vendimmarrje e ligjvënësit e cila nuk i ka pëlqyer gjyqtarëve. Sipas tyre kjo llogaritje i ka ulur përfitimet dhe kjo është anti kushtetuese, dhe për këtë kërkojnë një llogaritje tjetër me bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë.
Për herë të dytë pa kaluar 3 vite gjyqtarët duan një rritje rroge, por që u kundërshtua nga kryeministri Edi Rama.


