Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur lirimin e menjëhershëm të shtetasit me inicialet O. Ç., i arrestuar më 29 tetor 2026, gjatë protestave të dhunshme në vend.
Atij i është caktuar dy masa sigurimi, detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore dhe ndalimin për të qëndruar jashtë territorit të njësisë administrative ku ka vendbanimin, pa autorizimin e gjykatës.
Vendimi është marrë më 1 nëntor 2026, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masave të sigurimit personal.
O. Ç. dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, të parashikuara nga nenet 150 dhe 263 të Kodit Penal.
Sipas vendimit të gjykatës, personi nën hetim duhet të paraqitet pranë policisë gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës të hënën e parë të çdo muaji, në orën 11:00.
Gjithashtu, gjykata ka urdhëruar që ai të mos largohet nga territori i njësisë administrative në Dibër, ku ka vendbanimin, pa autorizimin e gjykatës, si dhe të mos shkojë në zonat ku zhvillohen tubime ose protesta.
Top Channel
