Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për katër personat e arrestuar më 23 nëntor, të dyshuar për armëmbajtje pa leje. Pavarësisht se ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e tyre në flagrancë, gjykata ka vendosur masa më të lehta sigurie.

Tre prej tyre, me inicialet E.R., E.S. dhe L.M., do të hetohen në masën “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Ata duhet të paraqiten një herë në muaj, të hënën e parë, pranë Prokurorisë së Tiranës.

Ndërkohë, për të arrestuarin me inicialet I.Sh. është caktuar masa “Arrest në shtëpi”. Ai nuk lejohet të largohet nga banesa dhe as të komunikojë me persona të tjerë, përveç familjarëve dhe avokatëve të tij.

Gjykata ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të të katër personave nga paraburgimi, nëse nuk mbahen për ndonjë çështje tjetër penale apo në zbatim të një vendimi tjetër gjyqësor.

Të dyshuarit akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, sipas nenit 278/1 të Kodit Penal.

Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit brenda pesë ditëve nga e nesërmja e njoftimit.