Si rralle ndonjëherë Gjykata Civile e Tiranës ka vendosur të ndalojë një 31-vjeçar të hyjë në xhami, pas kërkesës së organit të akuzës, që e ka atë nën hetim, për akuzën e pengimit të veprimtarive të organizatave fetare.
Sipas vendimit te Gjykates, Lulzim Plloçi urdhërohet te mos hyje ne xhaminë e medresesë dhe kjo masë nuk ndikon negativisht qe i pandehuri te mos ushtroje ritet fetare sipas besimit te tij, pasi siç thotë gjykata ai mund t’i ushtroje normalisht ne çdo xhami tjetër, e për me tepër qe te tilla ka plot ne Tiranë.
Top Channel e kontaktoi Lulzim Plloçin pas vendimit te shpallur, ai deklaron se ka qene imami i kesaj xhamie dhe se konflikti mes tij dhe Komunitetit Mysliman ka nisur ne shkurt te këtij viti, atëherë kur ai është liruar nga kjo detyre.
“Në raport me vendimin që ka marrë gjykata, unë do ta respektoj, nuk do të shkoj, pasi dua të shpreh deri në fund qytetarinë time dhe vullnetin tim për t’ju përmbajtur çdolloj vendimi, gjykimi, qoftë edhe i padrejtë, sepse unë kështu e quaj, të padrejtë, në mënyrë që e gjithë e vërteta të dalë në shesh”, tha Plloçi.
Sipas imamit Plloçi, ai është denoncuar ne polici sikur nxiste besimtarët qe të ndalonin imamin e ri, por ai tregon se janë vetë besimtarët ata që me anë të një shkrese kërkojnë të dëgjohen nga Komuniteti për zgjedhjen e njeriut qe u drejton faljen. Plloçi akuzon Komunitetin Mysliman se sa here ka ngritje zëri, Komuniteti Mysliman njofton menjëherë autoritetet per shfaqje radikalesh apo ekstremistesh.
“Kam ngelur i habitur, për faktin që jam thirrur te Antiterrori, sepse të argumentosh se një njeri është radikal dhe ekstremist, duhet të kesh fakte dhe pa fakte dhe argumente nuk mund të akuzosh askënd. Në të njëjtën kohë kam dhënë argumentat e mia, që unë nuk jam i tillë”, thotë Plloçi.