Qytetarë shqiptarë protestuan sot pranë Gjykatës së Hagës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar lirimin e tyre. Ata tentuan të vendosnin pankarta me mesazhe para godinës, por policia holandeze bllokoi turmën dhe nuk lejoi afrimin tek institucioni i drejtësisë.
Sipas pamjeve të publikuara nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, autoritetet ngritën edhe një helikopter mbi qytet për të forcuar masat e sigurisë.
Në Gjykatën Speciale po zhvillohet procesi kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Të katërt akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që i kanë mohuar kategorikisht.
Protesta u mbajt një ditë para nisjes së paraqitjes së provave nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që prej 4–5 nëntorit 2020. Procesi gjyqësor filloi në prill 2023, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thirrur 125 dëshmitarë dhe ka paraqitur rreth 3,000 prova materiale.
Aktakuza përfshin akuza për vrasjen e mbi 100 personave, si dhe për mbajtje të paligjshme dhe torturë të qindra të tjerëve.